18 vjeç në luftë, Tahir Tahiri, e quan pjesën me krenare të jetës së tij

0
Ishte shumë i ri në moshë, kur ju bashkua thirrjes për t’ju bashkangjitur luftës çlirimtare dhe u bë njëri nga ushtarët me të rinj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tahiri Tahiri, nga Korrotica e Drenasit, sot flet me krenari për ditët kur ai ishte ushtar i UÇK, në brigadën 113 Mujë Krasniqi.

I rritur me frymën e dajës së tij, heroit Fazli Greiqevci, Tahiri si i ri ishte frymëzuar me ndjenjën e atdhedashurisë.

Sot, kur kanë kaluar më shumë se 21 vjet nga çlirimi i vendit, Tahiri kujton ato ditë, që i quan pjesën më krenare të jetës së tij, ndërkaq ndihet shumë i dëshpëruar me aktakuzat që po ju bëhen në Hagë, ish-krerevë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Pjesa më krenare e jetës time, janë ditët sa isha ushtar i UÇK-së, andaj ato janë edhe kapitulli më i ndritur i jetës time dhe çdo atdhetari kur rreshtohet krah bijve e bijave më të çmuara për ta mbrojtur atdheun”, thotë Tahiri për Gazetën Scanner.

Sipas tij, ato ditë, janë të pashlyeshme, plotë krenari, “sepse e jetoja jetën me heronjtë dhe dëshmorët tanë të gjallë, ku askush nuk e dinte cili do ta pres lirinë e cili jo”.

Por, Tahiri, kujton se ato ditë përveç krenarisë, kishin edhe dhimbjen e vete, kur humbnin shokët e luftës, që tashmë janë dëshmorë të kombit.

“Ato ditë, janë dhimbja jonë njëherësh, sepse më të mirët ranë në altarin e lirisë, ndërsa neve na mbetet tërë jetën të flasim për ta, për të pavdekshmit tanë”, shprehet ai, derisa tregon se ishte 18 vjeç ato ditë kur mori armën në dorë. “Zemra ime ishte e fortë dhe më rrahte vetëm për liri. Kështu ishin të gjithë ata që i njoha në llogore të luftës”, thotë ai.

Tahiri kujton luftëtarët që tashmë janë dëshmorë se si Bekim Hysenaj, Rrahim Bajraktari, Bejtë Rexhepi, Pal Paluca, që tashmë janë model për gjenerata, si duhet e si vdiset për atdhe.

“Pa iu trembur syri, na dëshmonin se një herë jetohet dhe vdiset për atdhe. Këtë duhet ta dinë të gjithë, se liria ka emër”, kujton ai fjalët e dëshmorëve.

Ndryshe, këto ditë kur në Hagë, po përballen më akuzat ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në Kosovë ka patur një reagim të madh dhe një dëshpërim nga komuniteti ndërkombëtar që po gjykon clirimtaret, që  luftuan për të drejtën për liri, ndërkaq në Kosovë, siç dihet, nga okupatori serb janë vrarë e masakruar mijëra civilë shqiparë, në mesin e tyre, fëmije, gra e pleq.

Share.

About Author