Ministri i Integrimeve Europiane Bekim Çollaku, thotë se nuk ka asnjë indikacion që liberalizimi i vizave për Kosovën me Bashkimin Europian të mos ndodh këtë vit.
Ai ka deklaruar se deri më tani gjërat kanë ecur përpara dhe se propozimi i Komisionit Europian për heqjen e vizave po kalon nëpër procesin e vendimmarrjes në Këshillin e Ministrave dhe në Parlamentin Europian dhe po diskutohet nga institucionet relevante.
“Komisioni Europian tani më e ka bërë propozimin ligjor për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës . Është rrjedh e natyrshme dhe e pritur që dy institucionet tjera, Parlamenti Europian dhe Këshilli i BE-së, ta shqyrtojnë këtë propozim dhe ta miratojnë atë”, ka thënë Çollaku në një prononcim për gazetën “Zëri”.
Ai po ashtu ka thënë se edhe institucionet e Kosovës janë duke punuar maksimalisht që të mbajnë trendin pozitiv të zbatimit në të gjitha aspektet të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave.
“ Ne nuk kemi asnjë arsye apo indikacion serioz për të dyshuar nëse qytetarët do të udhëtojnë pa viza brenda këtë viti”, ka thënë Çollaku ndër të tjera./drenicasot.com