Drejtoresha e Komunës së Drenasit: Jam e pafajshme, po akuzohem bazuar në thashetheme

0

Drejtoresha e Emergjencave në Drenas, Hyrije Xhemajlaj-Thaçi, që po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e blerjes së një kamioni për nevojat e Zjarrfikësve në Drenas, ka thënë se është plotësisht e pafajshme.

Në një prononcim për KlanKosova.tv, Xhemajlaj-Thaçi, ka deklaruar se aktakuza ndaj saj nuk qëndron aspak dhe se gjithçka është e bazuar mbi thashetheme.

“Absolutisht nuk është i vërtetë pretendimi i Prokurorisë, por ajo le ta vazhdojë punën e saj. Gjithsesi, aktakuza është ngritur nga thashethemet dhe pretendimi i policisë”, ka thënë Xhemajlaj-Thaçi.

Rasti për të cilin po akuzohet drejtoresha e Komunë së Drenasit, bashkë edhe me dy zyrtarë të tjerë dhe një person me biznes privat, është blerja e një kamioni në shumën 110.000 që shërben për fikjen e zjarr, por që i njëjti, sipas prokurorisë “nuk i plotëson kriteret sipas kontratës dhe se pagesa për këtë kamion ishte bërë para se të bëhet pranimi teknik i mallit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik”.

“Ne e kemi blerë me të gjitha përmasat e duhura, ndërsa automjeti i plotëson të gjitha kriteret dhe është pikërisht ashtu siç e kemi kërkuar dhe ky automjet u shërben nevojave të qytetarëve të Drenasit”, ka thënë Xhemajlaj-Thaçi, e cila ka deklaruar po ashtu se pagesa për mjetin ishte bërë në momentin e duhur – kur ishte pranuar automjeti.

“Kamioni posedon edhe Dokumenti Unik Doganor që është dokument që argumenton se ai ishte automjet i ri kur është futur në Kosovë dhe kur i është bërë pagesa. Në doganë e njohim si institucion shtetëror, ndaj nuk ka pasur kurrfarë problemi. Automjeti e ka edhe homologimin”.

Gjithsesi, Xhemajlaj-Thaçi ka deklaruar se është e gatshme të ballafaqohet me çfarëdo akuzash për këtë rast, njofton KlanKosova.tv.

Share.

About Author