Mos i baltosni veteranët e luftës!

0

Ekziston një shprehje e vjetër latine që thotë se kur “një vlerë e çmuar përdoret me tepri ç’vlerësohet”. Në historinë shqiptare kemi raste të shumta kur vlerat kombëtare janë përdorur enkas me tepri për t’u nënçmuar.

Kështu, pas Luftës së Dytë Botërore, udhëheqja komuniste shqiptare, me qëllim që të “masovizonte” luftën e saj nisi të rriste artificialisht numrin e dëshmorëve të rënë. Me këtë veprim djallëzor synohej të rritej numri i të rënëve me ato individ e familje që i interesonte regjimit si dhe të zbeheshin ato individë dhe familje që vërtetë ishin martirizuar për atdhe.

Ky ishte akti i parë i manipulimit politik të historisë së Luftës së Dytë Botërore. Qysh asokohe, në qendrat e kulturës shqiptare si Shkodra, Durrësi filloi të përflitej shprehja popullore, pak vulgare,  por e vërtetë se ” po ngrihen halet, që të ulen malet”.

Për herë të dytë në historinë e Shqipërisë u bë një shpërdorim masiv i vlerave në periudhën e rënies së komunizmit. Ishte kohë kur desidenca antikomuniste po bëhej mode politike, instrument për kapje pushteti, rrugë për zhvatje ekonomike e përfitime të padrejta sociale. Komunistët fanatikë hiqeshin si “bashkëvuajtës”, sekretar partie obskurantë visheshin me “pelena të bardha” si demokratë, spiunët hiqeshin të persekutuar, shkrimtarë që kishin thurur ditirambe për diktaturën dhe liderin e saj hiqeshin si disidentë politiko-letrar. Demokracia e pluralizmi u uzurpua nga “dosjet” dhe të vuajturit e vërtetë u baltosën nga njerëzit me pseudonime.

Për herë të tretë në historinë e shqiptarëve po vërejmë përpjekjen djallëzore për çvlerësimin e vlerave heroike të popullit tonë me atë çka po ndodh në Kosovë me veteranët e luftës së UÇK-së. Shifra manipuluese është ekstreme. Mbi trefishi i numrit të veteranëve të vërtetë po deklarohen, regjistrohen dhe paguhen si të tillë. Nga rreth 17 mijë veteranë të vërtetë, shifra manipulative ka kapërcyer mbi 53 mijë të tillë.

Ky manipulim shoqërohet me shumë të këqija dhe bartë rreziqe të konsiderueshme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës. Së pari, ky manipulim është mashtrim historik që deformon të vërtetën historike mbi luftën çlirimtare të UÇK-së.

Së dyti, ky mashtrim, synon t’u japë vlera e merita lufte shumëkujt që gjatë luftës ka bërë të kundërtën e luftëtarëve të lirisë. Kjo fshehje e tinëzarëve të kohës së luftës brenda listave të UÇK bartë rreziqe afatgjate në ardhmërinë politike të Kosovës. Veteranët artificial vijnë nga zyrat e zyrtarëve që duan të fshehin veprimtaritë e dyshimta e qëllimet antikombëtare me kurora veteranësh në familje, fis e miqësi. Ne këtë rast manipulimi i të kaluarës i shërben uzurpimit të pushtetit të së sotmes dhe të ardhmes.

Së treti, falsifikimi i listave të veteranëve me trefishime emrash bartë rrezikun e tejskajshëm të dezertimit të individëve, familjeve dhe grupeve konspirative, që kanë qenë pjesë aktive e shërbimeve sekrete antishqiptare. Përmes depërtimit në lista veteranësh kjo radhë e “agjentëve të dikurshëm antishqiptar” fshihen dhe veprojnë në kohën tonë e në të ardhmen si atdhetar. Kështu e keqja që deri në luftë ishte jashtë nesh,  me manipulimin masiv fals mund të instalohet brenda nesh. Kur spiuni i djeshëm bëhet veterani i sotëm e ardhmja humbet qartësinë dhe sigurinë.

Së katërti, rritja manipulative mbi trefish e listave të veteranëve të luftës ka qëllim djallëzor që veteranët e vërtetë t’i margjinalizojë, ndërsa pseudoveteranët t’i lartësojë; veteranët e vuajtur t’i fusë në muzeume, ndërsa pseudoveteranët t’i përfshijë në politikë dhe administratë publike. Kështu e vërteta shkon drejt zhdukjes, ndërsa gënjeshtra fiton terren gjithnjë e më shumë.

Së pesti, shtimi artificial me trefish i listave të veteranëve është edhe aferë e mirëfilltë korruptive me financat publike nga qarqe të caktuara qeveritare. Ky korrupsion masiv synon të vjedhë miliona euro të qytetarëve të Kosovës për t’ia paguar të pamerituarve. Një plaçkitje shumë djallëzore. Dikur vodhën nga “tre përqindëshi” apo “vendlindja thërret”,  sot duan të plaçkitin financat e taksapaguesve kosovarë. Nuk ka më keq.

Duhet piskamë mbarë popullore. Ky problem lypet të bëhet pjesë e debatit politik, publik, mediatik, shkencor si dhe i hetimeve të organeve të drejtësisë për korrupsion në nivele të larta. E keqja të parandalohet sa nuk është vonë. Nesër, lugën e çorbës së sotme do e vjellim të gjithë./Sovrani.info/

Share.

About Author