Thirrje blerësve të Mjedrës: mos luani me djersën e punëtorëve

0

Kryetari i Komunës së Podujevës, AgimVeliu, u bën thirrje grumbulluesve të mjedrës në këtë Komunë që të mos luajnë me mundin dhe djersën e kultivuesve të vyeshëm llapjanë, duke ulur përtokë çmimin e mjedrës.

“Pas një numri të madh të ankesave, të cilat ditët e fundit kanë ardhur në adresën e Kryetarit të Podujevës nga kultivuesit e mjedrës për lojën me çmimin e këtij prodhimi, kryetari Veliu u bën apel pikave të grumbullimit të mjedrës që mos të luajnë me çmimin e mjedrës, ngase kjo kulturë është shndërruar në elementin kryesor të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit të qytetarëve të Komunës së Podujevës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.

“Kjo kulturë është krenari dhe brend i këtij qyteti, ngase falë punës për kultivimin e saj shumë familje po i sigurojnë të ardhurat me të cilat mbajnë familjet e tyre, dhe po angazhojnë shumë punëtorë sezonalë, prandaj si e tillë kjo veprimtari meriton të trajtohet me dinjitet. Ju rikujtojmë edhe njëherë se këto plantacione dhe këtë brend e kemi krijuar me mund në bashkëpunim të shkëlqyeshëm me kultivuesit llapjanë, andaj në asnjë formë nuk do të lejojmë të nëpërkëmbet puna e tyre”, ka thënë Veliu.

“Në rast se pikat e grumbullimit nuk ofrojnë kushte më të mira për kultivuesit llapjanë, ne do të kërkojmë forma dhe mundësi tjera për plasimin në treg të mjedrës së llapit me trajtimin dhe çmimin e merituar”, thotë kryetari Veliu

Kryetari Veliu zotohet se Komuna e Podujevës edhe sivjet, sikurse vitet e tjera do t’i subvencionojë fermerët llapjanë me fidan mjedre.

Share.

About Author