Vetëvendosje konfirmon vdekjen e aktivistit Astrit Dehari

0
Loading...

Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar vdekjen e aktivistit të këtij subjekti politik, Astrit Dehari.

Ky është njoftimi i Vetëvendosjes:

Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, nuk është më mes nesh

Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, ka humbur sot jetën tragjikisht në moshën 26 vjeçare. Të gjithë ne e kemi gati të pamundur ta besojmë vdekjen e tij që na ka tronditur e na ka pikëlluar thellë në shpirt. Në këto momente tejet të rënda, Lëvizja VETËVENDOSJE! gjendet pranë familjarëve dhe miqve të ngushtë të Astritit, gjendemi sot pranë njëri-tjetrit ne që e kishim atë shok dhe vëlla, ne që do ta kujtojmë atë përherë me dashuri.

Astriti u shua tepër herët. Ai ishte në përfundim të studimeve për mjekësi në Universitetin e Prishtinës. Me jetën dhe përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare, ndaj popullit tonë, ndaj studimeve, ndaj shokëve dhe shoqeve, dhe ndaj familjes së tij, Astriti na ka dhënë të gjithëve forcë dhe frymëzim. Në shembullin e jetës dhe përkushtim të tij ne sot gjejmë forcën ta bëjmë të pamundurën ta ngushëllojmë sado pak familjen e tij dhe veten teksa ende e kemi vështirë ta besojmë se ai nuk do jetë më në mesin tonë.

Për të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për familjarët, shokët dhe shoqet e Astritit, ai po largohet nga kjo jetë si hero i popullit për të cilin ai nuk u kursye kurrë. Si hero do ta përcjellim në banesën e tij të fundit, si hero do ta kujtojmë përgjithmonë./Koha.net

 

Share.

About Author