Bazaj para 10 vitesh ishte i arrestuar për kontrabandim me armë, i ishin gjetur top, maska dhe granata

0

Ditë më parë i kishte hyrë garës si kandidat i pavarur për kryetar të komunës së Drenas, mirëpo sot Naim Bazaj është tërhequr zyrtarisht nga kjo garë, edhe pse kishte thënë se do ta mposhte PDK-në dhe do të bëhej kryetar i Drenasit.

Deri te kjo kandidaturë e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Drenasit kishte ardhur pasi që PDK-ja nuk e kishte nominuar për kryetar, edhe pse ai kishte mbledhur nënshkrimet e më shumë se 20 nëndegëve të kësaj partie, që e përkrahnin atë të jetë kandidat i PDK-së për kryetar.

Mirëpo, Naim Bazaj del të jetë një person kontravers, pasi që pikërisht para dhjetë vitesh ai ishte arrestuar gjatë një operacioni të Shërbimit Policor të Kosovës, ku atij dhe Skenderbe Hebibit e Mursel Bilallajt i cili gjetur një sasi e madhe armatimi, duke përfshirë edhe topa pa dridhje, maska dhe granata antitank, shkruan Veriu.info.

“Gjatë kësaj bastisje janë gjetur një sasi e konsiderueshme e armatimit si: 116 copa granata artilerie si dhe granata antitank me dhe pa fragmente të kal 75 mm;dy armë automatike (mitrolez)të kalibrit 7.62 PKT; një top pa dridhje të kalibrit 75 mm; 2 granata dore së bashku me mbajtëse të armatimit (gjoksore); një sasi e uniformave ushtarake; disa maska kundër helmit; mbi 2500 fishekë të kalibrave të ndryshëm etj. Ky armatim është gjetur në shtëpi dhe objekte përcjellëse, ndërsa dy furgona (kombi) janë konfiskuar si prova materiale. Me urdhër të prokurorit këta tre persona mbahen në paraburgim. I tërë operacioni ka përfunduar sot rreth orës 02:00, ndërsa hetimet në lidhje me këtë rast janë duke u zhvilluar edhe më tutje” thuhet në njoftimin i cili përmban edhe informacionin se njoftimi për rastin ishte bërë për kontrabandim me armë”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Policor të datës 21 dhjetor 2006.

Në atë kohë Naim Bazaj mbante detyrën e kryetarit të degës së AAK-së në Drenas dhe të këshilltarit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Mënjeherë pas arrestimit kishte reaguar edhe ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ibrahim Selmanaj, i cili e kishte shkarkuar nga detyra e këshilltarit politik.

Pikërisht në atë ditë edhe AAK-ja kishte lëshuar një njoftim për media, përmes të cilit e kishte njoftuar opinionin se e ka përjashtuar nga partia Naim Bazajn, shkruan Veriu.info.

“Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate për media të enjten, ka njoftuar se për shkak të implikimeve në aktivitete të kundërligjshme dhe në shpërputhje me qëndrimet e vazhdueshme të partisë për rend, ligj, qetësi dhe siguri në Kosovë, e ka përjashtuar nga partia Naim Bazajn, kryetar i deritashëm i Degës së AAK-së në Drenas”, thuhej në njoftimin e AAK që mbanë datën 21 dhjetor 2006.

Veprimtarinë e Naim Bazajt e kishte dënuar edhe Qeveria e Kosovës, e cila ishte shprehur e indinjuar me përfshirjen në aktivitete të jashtëligjshme të një zyrtari qeveritar.

“Duke u distancuar nga ky akt i izoluar, Qeveria e Kosovës rikonfirmon vullnetin e saj për të punuar në drejtim të sundimit të ligjit, krijimit të shtetit ligjor dhe një qeverisjeje të drejtë dhe të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Qeveria e Kosovës përgëzon organet e rendit për operacionin e suksesshëm të sekuestrimit të armatimit ilegal. Ajo i inkurajon zbatuesit e ligjit të vazhdojnë të kryejnë me përkushtim punën e tyre, thuhet në një kumtesë për media të lëshuar nga Zyra për informim publik pranë qeverisë”, thuhej në kumtesën e Qeverisë që mbante datën 21 dhjetor 2006.

Ndryshe, sonte Bazaj është parë në një tubim të PDK-së, ku i ka dhënë mbështetje kandidatit të PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ndërsa, në vitin e kaluar kryesuesi i Kuvendit Komunal në Drenas, Naim Bazaj, ishte raportuar se ka sulmuar fizikisht drejtorin e shkollës së fshatit Terstenik.

Share.

About Author