Drenori: Elektorati i Naim Bazajt tani më voton mua dhe Isa Xhemajlajn

0
Loading...

Një ditë para tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për zgjedhjet e 4 dhjetorit, kur pritet të votohet për kryetarin e ri të Drenasit, kandidati i pavarur, Naim Bazaj është tërhequr nga gara.

Tërheqja e tij ka rritur shpresat për numër më të madh të votave të elektoratit tek kundërkandidatët tjerë, shkruan Indeksonline.

Asamblisti i PDK-së, tashmë kandidat i pavarur për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori ka thënë në një prononcim për Indeksonline se nuk e ka pritur që një gjë e tillë do të ndodhte tash që po afrohet dita e zgjedhjeve.

“Është definitivisht një garë interesante, sidomos pas ngjarjeve që ndodhen dje. Ato që kanë ndodhur dje në momentin e fundit, unë realisht nuk i kam pritur, por ja që tashmë u bë”, tha Drenori.

Sipas tij, pas asaj që ndodhi mbrëmë, përkrahësit e Bazajt nuk do të votojnë për kandidatin e PDK-së, të përzgjedhur nga kryesia e partisë dhe kryetari i saj, Kadri Veseli.

“Mund t’iu them me siguri të plotë se njerëzit që e kanë përkrah kandidatin e tërhequr, Naim Bazaj kanë qenë votues të PDK-së e që nuk kanë qenë të kënaqur me mënyrën se si është sjell kandidati i PDK-së për Drenasin nga kryesia, respektivisht Kadri Veseli. Ata përkrahës nuk do ta përkrahin kandidatin e PDK-së, shumë prej tyre tashmë veçse më kanë telefonuar dhe janë në gjendje edhe të zyrtarizojnë përkrahjen e kandidaturës sime”, ka theksuar kandidati Drenori.

Ai vlerësoi se gara për Drenas është interesante dhe se gjërat kanë ndryshuar por në bërthamë vazhdojnë të jenë të njëjta.

Tashmë edhe publikisht disa votues të cilët kishin ndarë mendjen ta votojnë Bazajn, pas tërheqjës së tij nga gara kanë dalë me qëndrime të hapura në rrjetet sociale se nuk do ta votojnë Lladrovcin, por dikë tjetër nga partitë që garojnë në Drenas.

I pyetur se a pret që votat e kandidatit të tërhequr t’i marr ai, Drenori është shprehur i bindur se do të ndodh një gjë e tillë.

“Minimumi 70% të votave të kundërshtarit të tërhequr do t’i marr, sepse në bazë të informacioneve që kam, një pjesë tashmë kanë kaluar te kundërkandidati Isa Xhemajlaj dhe ata që nuk kanë dashur të votojnë kandidatin e PDK-së nuk do ta votojnë prapë. Pra, votat prapë do të mbesin jashtë PDK-së”, tha tutje Drenori.

Kujtojmë se Drenasi ndodhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të komunës, të cilat vijnë pas konfirmimit të dënimit nga Apeli ndaj tanimë ish kryetarit, Nexhat Demaku. Drenasi voton për kryetarin e ri më 4 dhjetor. /Indeksonline

 

Share.

About Author