PRESIDENTI PËRKUJTON 84 SERBËT E HOÇËS TË VRARË NË KOSOVË

0
Loading...

Presidenti i Republikës se Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi sot përkujtimoret në Hoçë të Madhe dhe në Suharekë për të përkujtuar viktimat e luftës së fundit në Kosovë dhe për të bërë thirrje për të vërtetën dhe për pajtim.

Pasi vuri lule në memorialin në Hoçë të Madhe, së bashku me Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, presidenti Thaçi kërkoi që të punohet për të vërtetën dhe për pajtim.

“Sapo vumë lule në këtë përkujtimore për 84 qytetarë serbë të Kosovës për të përkujtuar viktimat, pa dallim nacionaliteti. Jemi këtu për të kërkuar të vërtetën dhe për të kërkuar pajtim ”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se për të vërtetën kërkohet sakrificë.

“Për pajtim, secili prej nesh duhet ngritur mbi vetveten”, ka thënë Thaçi, duke thënë se kjo duhet të bëhet në emër dhe në shërbim të së ardhmes demokratike të Kosovës.

Presidenti Thaçi, gjithashtu kërkoi që sa më parë të zbardhet fati i të pagjeturve, që të ngadhënjejë drejtësia dhe të ndodhë pajtimi, thuhet në njoftimin e Presidencës.

“Kosova nuk duhet të mbetet peng i të kaluarës, por duhet të ndërtojmë të ardhmen evropiane të Kosovës”, u shpreh ai.

Thaçi, gjithashtu shtoi se nga takimet që ka pasur me familjarët e të pagjeturve të të gjitha komuniteteve, është optimist për pajtimin në Kosovë.

Sipas tij, familjarët e të pagjeturve janë shembull edhe për të tjerët, se duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për të ndërtuar ura të dialogut dhe bashkëpunimit.

Ndërsa, Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, tha se institucionet shtetërore të Kosovës vazhdojnë të punojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Është e drejtë e familjeve që të mësojnë të vërtetën për fatin e familjarëve të tyre”, tha Gjetaj.

Në Suharekë, presidenti Thaçi vuri lule te memoriali i familjes Berisha, duke kërkuar drejtësi të plotë për këtë familje./Insajderi.com

Share.

About Author