ESKLUZIVE: POLICIA E KOSOVËS BLLOKON TRENIN E SERBISË

0
Loading...

Policia e Kosovës nuk e ka lejuar trenin nga Beogradi që të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës

( E plotësuar) Sipas burimeve te RTK-së, Policia e Kosovës nuk e ka lejuar trenin nga Beogradi që të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës. RTK ka siguruar foto dhe video në pikën kufitare në Jarinje të forcave speciale policore të cilat e kanë bllokuar hekurudhën.

Autoritetet republikane të Kosovës reaguan ashpër kundër këtij provokimi të Serbisë dhe kërkuan që treni të mos lejohej të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës. Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi ka deklaruar se hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme.

Thaçi në rrjetin social facebook ka shkruar se në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi. “Prandaj, çfarëdo që është ilegale dhe cenon sovranitetin shtetëror të Kosovës, duhet të parandalohet. Ky tren është provokim i radhës dhe autoritetet e Kosovës duhet t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ndaljen e menjëhershme të tij”, ka shkruar Thaçi.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se me trenin, i cili është nisur nga Serbia për në Kosovë, “do të veprojmë konform ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës”. “Ju siguroj që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të zbatojnë ligjin, në funksion të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Unë jam në ministri me drejtorinë e policisë dhe jemi duke e përcjellë situatën dhe do të veprojmë konfrom ligjit dhe kushtetutës ”, ka thënë Hyseni.

Ndërsa Bashkimi Evropian e ka cilësuar si çështje të Kosovës dhe Serbisë këtë provokim të Qeverisë së Vuçiçit. Serbia e ka bërë praktikë promovimin e linjës hekurudhore Beograd – Mitrovicë e Veriut saherë që afrohen zgjedhjet në këtë shtet. Me këtë veprim Qeveria e Vuçiçit po mundohet t’i mashtrojë serbët e Kosovës dhe t’i përdorë ata pastaj për qëllime të fushatës zgjedhore. Një tren i ngjashëm u pat nisur edhe në vitin 2013 pikërisht për qëllime politike për ta fuqizuar listën Srpska në zgjedhjet në Kosovë, gjë që edhe ndodhi.

Por më pas ai tren u zhduk, që tregon për mashtrimin që Vuçiç po ua bën serbëve të Kosovës për përfitime të tij politike.

Policia bllokoi trenin e Serbisë

Treni nuk u lejua të hyjë nga autoritetet kosovare me arsyetimin se nuk ka leje për tu futur në territorin e Republikës së Kosovës.

RTK ka siguruar foto dhe video në pikën kufitare në Jarinje të forcave speciale policore të cilat e kanë bllokuar hekurudhën.

 

Share.

About Author