Afaristi kosovar që ua dha punëtorëve pagën e 13-të

0
Loading...

Burim Piraj, pronari i fabrikës së përpunimit të mishit “Meka”, e cila gjendet në fshatin Pllavë të komunës së Dragashit, gjatë vitit që lamë pas punëtorëve ua ka dhënë për herë të parë pagën e 13-të. Piraj thotë se sivjet po planifikon që punëtorëve t’ua japë edhe pagën e 14-të. Sipas tij, suksesi i biznesit është i garantuar vetëm kur punëtorët janë të kënaqur me punën e tyre

Është veprim i zakonshëm për një kompani të Zvicrës, por jo edhe të Kosovës. Kompania kosovare “Meka”, e cila merret me përpunimin e mishit, në fund të vitit të kaluar ua ka paguar të gjithë punëtorëve të vet edhe pagën e 13-të, për dallim nga shumica e bizneseve private në vend që ua vonojnë pagat punëtorëve apo edhe nuk ua paguajnë kontributet pensionale.

Pronari i kësaj kompanie, Burim Piraj, thotë se për herë të parë që nga fillimi i punës vitin e kaluar ka arritur t’ua paguajë 43 punëtorëve pagën e 13-të, e cila kishte obligime shtesë për kompaninë.

Megjithatë, ai shprehet i kënaqur me një vendim të tillë pasi që, siç thotë ai, suksesi i një biznesi është i garantuar vetëm kur punëtorët janë të kënaqur me punën e tyre.

“E kuptoj se në Kosovë punëtorët në sektorin privat shkelen shumë, mirëpo unë dua ta jap një shembull ndryshe. Jam i kënaqur që ua kam paguar punëtorëve pagën e 13-të, pasi që zhvillimi i biznesit tim po ndodh falë kontributit të punëtorëve. Dhe punën e tyre kam vendosur që t’ua shpërblejë me pagën e 13-të”, thotë Piraj për “Zërin”, duke shtuar se sivjet do të punojë që në dhjetor punëtorëve t’ua japë edhe pagën e 14-të

Share.

About Author