Vetëvendosjes i duhen edhe 8 nënshkrime për hetimin e SHIK-ut

0
Loading...

Zogaj: MD dhe MPB janë nën kapjen e SHIK-ut
“Hetimi i këtyre veprimtarive nuk mund të bëhet me mbledhjen e nënshkrimeve por duhet të bëhet nëpërmjet të detyrimit ligjor të institucioneve shtetërore që të kryejnë përgjegjësitë e veta! Në rend të parë do të duhej angazhimi serioz i Ministrisë së Drejtësisë dhe i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat aktualisht, janë plotësisht të pafuqishme,sepse janë nën kapjen e SHIK-ut”, është shprehur Skender Zogaj.

Lëvizjes Vetëvendosje po i nevojiten vetëm edhe 8 nënshkrime të deputetëve, për të ndërmarrë iniciativën për hetimin e veprimtarisë së ish-Shërbimit Informativ të Kosovës.

Hetimin e kësaj organizate, kjo Lëvizje e kishte premtuar edhe gjatë fushatës zgjedhore, duke thënë se Vetëvendosje do ta zhvillojë dhe përmbyllë hetimin e plotë parlamentar mbi veprimtarinë e SHIK-ut.

Mirëpo, për ta bërë këtë, VV-së po i duhen edhe votat e partive tjera.

Këtë e ka konfirmuar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, që është njëherit edhe kryetare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Vetëvendosje në kërkim të 8 votave

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputetja Haxhiu, ka thënë se gjatë kësaj legjislature, VV-ja ka gati 32 nënshkrime për iniciativën e hetimit të SHIK-ut.

Ajo ka thënë se deri më tani, organet e drejtësisë në vend, nuk e kanë ndërmarr asnjë veprim në këtë drejtim.

“Me gjithë akuzat e vazhdueshme mbi organizatën kriminale e ilegale SHIK, deri më tani organet e drejtësisë nuk e kanë ndërmarrë asnjë veprim. Duke parë mosveprimin e organeve të drejtësisë, ne si grup parlamentar kemi ndërmarrë iniciativën për hetimin e SHIK-ut në legjislaturën e katërt dhe të pestë por po ashtu në fillim të kësaj legjislature kemi gati 32 nënshkrime të grupit tonë, na duhen vetëm edhe 8. Në legjislaturën e katërt patëm mbledhur 27 nënshkrime për hetimin e ShIK-ut. Në të pestën, i bëmë 38. Aso kohe LDK ishte në koalicion me PDK, lëre që si grup nuk i jepnin nënshkrimet, por edhe kishin votuar Kadri Veselin për Kryetar Kuvendi”, është shprehur Haxhiu.

Sipas deputetes së VV-së, Komisioni parlamentar, do të duhej të hetonte burimin e financimit të SHIK-ut, dosjet e prodhuara prej tij dhe përfshirjes së personave dhe roleve të tyre në të.

Ajo ka thënë se gjetjet e hetimit, do të duhej të dorëzoheshin sipas ligjeve në fuqi Prokurorisë së Republikës së Kosovës.

“Konsideroj që është e rëndësishme të zhvillohet hetimi i plotë parlamentar mbi burimin e financimit të organizatës ilegale “SHIK”, dosjet e prodhuara prej saj dhe përfshirjes së personave dhe roleve të tyre në të. Të gjitha gjetjet do duhej t’i dorëzoheshin sipas ligjeve në fuqi Prokurorisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë më tej ajo.

Haxhiu ka theksuar se me gjithë akuzat, partia tjetër opozitare LDK, nuk ka vullnet për të hetuar SHIK-un.

Mirëpo, sipas saj, situata tani është më e favorshme, për shkak të përbërjes së komisioneve të Kuvendit, balancit pozitë – opozitë, duke shpresuar edhe në votat e AAK-së dhe të Nismës.

“Ajo çfarë po ndodhë është se LDK nuk ka vullnet për të hetuar SHIK-un, ndonëse në vazhdimësi ka akuza lidhur me të. Situata është më e favorshme tani, për shkak të përbërjes së komisioneve të Kuvendit, balancit pozitë – opozitë. Në mandatin e kaluar, këtë nismë e patën mbështetur edhe AAK e Nisma. Shpresoj që tani që janë në Qeveri, të mos e kenë ndryshuar qëndrimin”, ka shtuar për “Bota sot, deputetja Albulena Haxhiu.

Nisma: Të hetohet edhe UDBA

E qëndrimin e saj në lidhje me hetimin e SHIK-ut, nuk e ka ndryshuar Nisma Socialdemokrate. Mirëpo, sipas deputetit nga kjo parti Milaim Zeka, Nisma ka një kusht për të përkrahur këtë nismë të VV-së.

“Ne e përkrahim këtë hetim, me kusht që të hetohet edhe UDBA”, ka konfirmuar deputeti Zeka, për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: SHIK-u ka kapur institucionet shtetërore

Se SHIK-u duhet të hetohet, e ka thënë edhe njohësi i zhvillimeve politike në vend Skender Zogaj. Por, ai ka thënë se duhet të hetohet gjithashtu edhe “Sigurimi i Atdheut” dhe shërbimet e tjera informative të partive politike, pasi sipas tij, ato janë të implikuara në krime të luftës e të pas luftës.

“SHIK-u, por edhe “Sigurimi i atdheut” dhe shërbimet e tjera informative të partive politike, duhet të hetohen dhe të zbardhen veprimtaritë e tyre, sepse të gjitha së bashku janë të implikuara në krimet e luftës e të pas luftës dhe për gjendjen e krizës në të cilën është kapluar Kosova”, ka pohuar Zogaj.

Sipas tij, hetimi i këtyre veprimtarive, duhet të bëhet përmes detyrimit ligjor të institucioneve shtetërore, për të cilat ka thënë se janë të pafuqishme, për shkak të “kapjes nga SHIK-u”.

“Hetimi i këtyre veprimtarive nuk mund të bëhet me mbledhjen e nënshkrimeve por duhet të bëhet nëpërmjet të detyrimit ligjor të institucioneve shtetërore që të kryejnë përgjegjësitë e veta! Në rend të parë do të duhej angazhimi serioz i Ministrisë së Drejtësisë dhe i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat aktualisht, janë plotësisht të pafuqishme,sepse janë nën kapjen e SHIK-ut”, është shprehur Skender Zogaj.

Ai iniciativat qytetare në këtë drejtim i ka quajtur të kota dhe të dëmshme, duke shtuar se qytetarët nuk duhet të ushqehen me shpresa të rreme se do të demistifikohen organizatat e fshehta.

“Iniciativat qytetare, janë orvatje të kota, bile-bile të dëmshme, sepse ushqejnë qytetarët me shpresë të rreme, të kinse do të demistifikohen organizatat e fshehta dhe duart e zeza! Pa një parlament të mirëfilltë dhe institucione ligjore, nuk ka rezultat në hetimin e veprimtarive subverzive dhe kriminale”, ka përfunduar Skender Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Miftari: SHIK-u nuk është i vetëm në krime

E ish-anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, ka konfirmuar se kjo organizatë është aktive edhe sot në vend, mirëpo tani, ai sipas tij, “është i pranishëm në institucione shtetërore”.

“SHIK-u është aktiv, gati sikur gjatë vitit 1999. Por dallon se pas marrjes së pushtetit, janë bërë kinse institcional dhe janë shpërndarë nëpër institucione si në parlament, qeveri, polici, AKI, gjyqësi, ministri dhe deri edhe fakultetet i kanë në duart e tyre.

Sipas Miftarit, akuzat e Vetëvendosjes në drejtim të kryeparlamentarit Kadri Veseli në lidhje me SHIK-un, janë me vend.

Ai ka kritikuar LDK-në, parti kjo e cila, siç ka thënë Miftari, është prekur më së shumti nga veprimet e SHIK-ut.

“Lëvizja Vetëvendosje akuzon me vend, por është e vetmuar dhe e copëtuar edhe vet nga pykat e SHIK-ut, por ku është LDK e Isa Mustafës sot, partia që u dëmtuar më së shumti pikërisht nga veprimet e SHIK-ut nga gjithë të tjerat”, është shprehur Miftari.

Megjithatë, sipas tij, SHIK-u nuk është i vetëm në krime dhe gjendje të mjerueshme, por, të gjithë mbajnë përgjegjësi me heshtjen e tyre.

Miftari ka shtuar se SHIK si kundërveprim, ka ndarë Vetëvendosjen në dy pjesë.

“Fatkeqësisht, SHIK-u nuk është i vetëm në krime dhe gjendje të mjerueshme që e kemi sot. Të gjithë mbajnë përgjegjësi dhe mëkate në duart e tyre, dikush më pak e dikush më shumë. Vet heshtja e tyre është bashkëpunim në krim. Të isha si VV-ja, as që isha marrë me SHIK-un më, kur të tjerët heshtin. Prandaj, edhe SHIK-u e ndau Lëvizjen në dy pjesë si kundërveprim”, ka shtuar Naim Miftari.

Share.

About Author