AKI të hetojë mënyrën se si u fut gazi lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës

0
Loading...

Votimi i Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi, riktheu në Kuvendin e Kosovës gazin lotsjellës. Lëvizja Vetëvendosje, sikurse më parë hodhi gaz lotsjellës për të ndaluar miratimin e kësaj marrëveshjeje. Skenari i njëjtë sikurse i vitit 2016. Mirëpo, ajo që mbetet enigmë, është mënyra se si Vetëvendosje arriti ta fus në Kuvend gazin lotsjellës.

Policia është duke e hetuar rastin

Në një komunikatë për medie, Policia e Kosovës, lidhur me seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës (RKS), ka thënë se ka bërë planifikimet policore, duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore si dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Në këtë drejtim, Policia e Kosovës thotë se me zyrtarët e saj policorë ka aplikuar masën e rëndomtë të kontrollit policor në hyrjet e Kuvendit të Kosovës, mirëpo nuk ka hasur në ndonjë mjet të dyshuar gjatë hyrjes së personaliteteve në Kuvend. Referuar pamjeve publike dhe informacioneve të siguruara është kuptuar se disa minuta pas fillimit të seancës parlamentare deputetë të caktuar kanë hedhur mjete të dyshuara gaz lotsjellës. Pas hedhjes së gazit lotsjellës seanca është anuluar dhe referuar rrethanave dhe situatës së krijuar në ambientet e Kuvendit të RKS-së ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjeteve të dyshuara. Një situatë e tillë e hedhjes së gazit lotsjellës është përsëritur edhe gjatë vazhdimit të pjesës së dytë të seancës parlamentare, nga deputetë të caktuar”, thuhet në njoftim.

Policia ka siguruar qytetarët dhe opinionin e gjerë se veprimet individuale të deputetëve nuk kanë asnjë lidhshmëri me zyrtarët policorë që janë në kryerje të detyrës.

“Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore që ka, Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e saja hetimore drejt zbulimit se si është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, si dhe çdo gjë tjetër rreth hedhjes së gazit lotsjellës”, vazhdon tutje njoftimi policor.

 

Share.

About Author