Azem Syla kthehet në arrest shtëpiak

0

Ish- komandantit të UÇK- së, Azem Syla i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, disa javë pasi u lirua nga paraburgimi.
Burime të KALLXO.com kanë bërë të ditur se Gjykata e Apelit ia ka ndërruar masën e sigurisë Azem Sylës. Vendimi  pritet të ekzekutohet shumë shpejt.

Azem Syla që po akuzohet për tjetërsim të pronave shoqërore në Rastin “Toka”, u lirua nga paraburgimi më 12 mars.

Lajmin e lirimit të Sylës atëherë e bëri të ditur avokati i tij Besnik Berisha.
Syla u lirua nga paraburgimi, pasi EULEX-i hoqi dorë nga gjykimi i tij dhe të tjerëve, duke ua lënë rastin vendorëve.

Gjyqtari Beqir Kalludra do ta gjykojë Rastin “Toka”.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.
Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve ndërsa të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.
Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm

Share.

About Author