Efekti traumatik i Vettingut: si rrezikon gjyqësori të futet në kaos

0
Loading...

Askush nuk e kishte menduar që Vettingu do të sillte një efekt të frikshëm siç ai që ka ndodhur këto ditë, ku i gjithë sistemi është futur në kaos me rrezik bllokimin.

Ose më mirë, ata që e kanë hartuar Ligjin e Vettingut, pra ekspertët europianë dhe amerikanë, e kishin menduar dhe kanë paraqitur alternativat përkatëse, por askush nuk i zbatoi.

Përjashtimi i gjyqtarit të Kushtetueses, Fatos Lulo rrezikon një ndikim drastik tek gjykatat dhe prokuroritë e vendit, duke krijuar një efekt domino të ngjashëm me një tërmet institucional.

Lulo nuk bën pjesë në grupin e gjyqtarëve dhe prokurorëve më të pasur të sistemit të drejtësisë. Flasim për atë të deklaruarën.

Lehtësia e vendimit për shkarkimin e Lulos vetëm për një dyshim mbi mosrakordimin e parave që ai ka blerë vilën në Kanada, është një precedent që i tillë si standard do të jetë edhe me gjyqtarët që zotërojnë pasuri edhe më të mëdha.

Vendimi për Lulon në një farë mënyre projekton deri diku edhe fatin e gjyqtarëve të tjerë.

Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Apelit janë më të ekspozuara ndaj rrezikut, pasi sipas deklaratave të pasurisë së gjyqtarëve të këtyre institucioneve ka gjasa që të gjithë të pësojnë fatin e Fatos Lulos.

Por nëse ikin gjyqtarët aktualë, zëvendësimi është një sfidë dhe procedurë e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Rrezikohet kështu një vakum mjaft i rrezikshëm.

Shkolla e Magjistraturës prodhon deri në 15 gjyqtarë në vit, çka nuk mjaftojnë për të rimbushur sistemin.

Ndërkaq, kriteret për t’u bërë pjesë e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese janë të prera dhe është e vështirë që të gjenden lehtësisht kandidatë që të kalojnë vettingun.

Faktori ndërkombëtar ka paralajmëruar prej dy vitesh vakancat që mund të krijohen në gjykata për shkak të veprimit të Ligjit të Vettingut.

Ish-kreu i misionit të EURALIUS, Rainer Deville ka kërkuar shtimin e kuotave të pranimeve nga shkolla e Magjistraturës, duke paralajmëruar boshatisjen e drejtësisë.

“Problemi tjetër është që shkolla e Magjistraturës në shtator fillon vetëm me 5 vende që janë kërkuar. 10 njerëzit, mund të japin dorëheqjen, pro problem është se ne nuk i zëvendësojmë këta njerëz”, pati thënë Deville në një intervistë, pikërisht për të sensibilizuar parlamentin, por askush nuk ja vuri veshin fjalëve të gjermanit të sjellë nga Merkel për të reformuar drejtësinë shqiptare.

Shto këtu faktin që nuk janë ngritur ende KLGJ-të dhe KLP-të që kanë në dorë të emërojnë gjyqtarët e prokurorët. Dhe siç duken bathët ata sërish do të vonohen pasi mazhoranca dhe opozita nuk kanë gjasa të afrohen në pozicionet e tyre.

Që të ngrihen Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të duhen gjithsej 84 vota në Kuvend.

Opozita ende nuk është kyçur në proces dhe vetëm sulmon Edi Ramën duke mos u bërë protagoniste e ndërtimit të gjyqësorit të ri.

Sipas Kushtetutës, si mazhoranca ashtu edhe opozita kanë të drejtën e bllokimit të zgjedhjes së anëtarëve të rinj në procedurat parlamentare.

Në vend që të bëjë këtë, përfaqësues të rëndësishëm të PD-së kanë nisur të marrin në mbrojtje gjyqtarët që po hiqen nga Vettingu.

Oert Bylykbashi, njeriu kryesor i PD-së për reformën e drejtësisë, thekson në një postim se të gjithë gjyqtarët që shkartisen nga vettingu po i largon Rama.

“Ka vetem veting. Vetingu eshte bere si Fronti Demokratik, dhe gjyqet e vetingut duken si gjyqet publike komuniste te 1945 te kinema 17 Nentori. Se mos guxon njeri dhe e kundershton ideologjine e re, Vetingun, se shpallet armik!

Por gjykatat e vetingut nuk zgjidhin padrejtesite me pronat, tatimet, doganat apo policine, as jane Gjykate Kushtetuese. Dhe mos harroni: asnje nga gjyqtaret e Vetingut nuk e ka kaluar vetingun vete!

‎Kissinger paralajmeron se nese bie ndarja e pushteteve, perfundojme ne despotizem. Sipas Kissinger, ne sot e kemi despotin: Edi Rama Kryeminister qe qeveris ne harmoni me veten e tij. Dhe shqiptaret jetojne te lumtur per harmonine e Kryeministrit. Mos u merzitni, te gjitheve do t’ju vije radha te provoni despotizmin harmonik te Rames!”, shkruan Bylykbashi.

Ky qëndrim duket se nuk është shumë fair, pasi vetë opozita e ka pranuar Vettingun si procedurë, madje e ka miratuar në Kuvend.

Nga ana tjetër, si vettingu ashtu edhe dekriminalizimi, janë dy ligje që kanë metodologji “drakoniane” deri në shkelje të të drejtave të njeriut.

Gjatë hartimit të tyre u tha se me koshiencë po bëhen ligje të tilla për të shkundur fenomenet negative.

Me dekriminalizimin ndalohet e drejta e zgjedhjes apo e emërimit në administratë për këdo që ka një “njollë në biografi”. Dashamir Tahiri u shkarkua si deputet pasi ishte ndaluar një herë në Itali për makinë të vjedhur.

Në fakt kemi të bëjmë me një shkelje të drejtës së njeriut dhe çdo gjykatë mund ta rrëzojë.

Por në ligjin e dekriminalizimit u vendos si klauzolë që askush nuk do ta çonte atë as në Kushtetuese e as në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkaq, me Vettingun ndodhi ndryshe: PD e çoi disa herë në Kushtetuese, së bashku me shoqatat e gjykatësve dhe prokurorëve.

Në fund ka nisur zbatimi i vettingut. Kundërshtimi i PD-së në këtë moment natyrisht që është politik, pra për të marrë me vete ata që do të goditen së bashku me rrethin e tyre.

Dhe kjo qasje është në një farë mënyre normale dhe brenda dialektikës, Por opozitës i takon të hyjë në proces për të mbushur vakumin.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, shpalli në një intervistë sot se situata është dramatike.

“Gjykata Kushtetuese nuk funksionon më në disa aspekte të saj që janë vendimet e seancës plenare dhe vendimet e mbledhjes së gjyqtarëve.

Mos funksionim në seancë plenare do të thotë se gjyqtarët kushtetues nuk mund të dalin më në seancë për të zhvilluar këto procese sipas këtij kalendari të paralajmëruar.

Ne nuk formojmë më dot kuorumin me gjashtë anëtarë, e vetmja gjë që mund të them është të përshpejtohen procedurat për zëvendësimin e vendeve vakante”, tha Dedja.

Nga të dhënat e botuara deri tani nga ILDKPKI për pasuritë e gjyqtarëve, gjasat janë për një vendim drastik si ai i viktimës së parë të vettingut, pra Fatos Lulos.

Kanë nisur edhe të qarkullojnë “llotari” në rrjete sociale për atë se sa pjesë e sistemit të drejtësisë do të rrëzohet: 70% është version më ekstrem, 50 është ai më “realisti”.

Po kush do t’i zëvendësojë gjyqtarët dhe prokurorët e larguar? Do shpiken metoda të reja si ajo e “Plepave” të Berishës, pra me kurse 6-mujore?

Ndërkombëtarët kanë paraqitur një variant, deri tani nën zë. Të shkrijnë gjykatat administrative që u krijuan me aq bujë në 2012-n e që nuk po japin rezultatin e pritur.

Kryesisht gjyqtarët e tyre janë të rinj dhe mund të kalojnë vettingun, plus që kanë pak kohë punë dhe mund të kalojnë barrierën e pasurisë.

Por për ta bërë këtë do të duhet të ndryshohet Kushtetuta…

Ramës, sipas gjasave nuk ja mban të hyjë në një telash që mund të sjellë kushte të rënda nga opozita, pasi Basha padyshim që do ta përdor si një litar për të dalë nga uji ku ka hyrë opozita.

Varianti i tretë mbetet prapë ai, Lu-ja që të nxjerrë kërbaçin nga sënduku

Share.

About Author