Mishi i konfiskuar në Ferizaj, në Viva Fresh dhe Super Viva (Foto)

0

Komuna e Ferizajt, gjegjësisht inspektorati i kësaj komune, ka konfiskuar rreth një ton mish, dhe nuk ka bërë të ditura emrat e marketeve ku është konfiskuar mishi i skaduar. Por, Gazeta Metro nga burime të sigurta brenda Komunës, ka arritur të mësoj, se bëhet fjalë për marketet Viva Fresh dhe Super Viva.

Duke u nisur nga raportimet e Gazeta Metro për konfiskimin e 1.1 ton mish të prishur në Mitrovicë, në marketet ETC dhe Viva Fresh, të premten është aktivizuar edhe inspektorati i Komunës së Ferizajt.

Me këtë rast edhe këta kanë bërë të ditur përmes një komunikate se kanë konfiskuar rreth një ton mish dhe nënprodukte të mishit.

Edhe pse kryeinspektori Ridvan Berisha, në një prononcim për Gazeta Metro, me asnjë kusht nuk ka dashur të tretojë emrat e kompanive, duke u thirr në ligj, Metro ka arritur të mësoj se bëhet fjalë për marketet e dy vëllezërve Rexhepi, Xhevdetit dhe Mustafës, i pari pronar i Viva Fresh dhe Mustafa i Super Vivës.

Kryeinspektori Berisha, ka pranuar vetëm të tregoj nëse mishi ishte i destinuar për shitje apo në magazinim. Ai ka thënë, se zyrtarët e marketeve u kanë thënë se mishi nuk ishte për shitje, por sipas tij, ky mish ndodhej në frigoriferët, ku ruhet edhe mishi i cili nxirret për shitje.

Metro ka kontaktuar edhe pronarin e Viva Fresh’it, Xhevdet Rexhepi, por ai fillimisht ka thënë se e kemi thirrur gabim, e më pas është munduar ta fshehë rastin, duke thënë se nuk është e vërtetë se konfiskimi ka ndodhur në kompaninë e tij, dhe e ka mbyllur telefonin.

Se mishi i konfiskuar të premten pasdite në Ferizaj, ishte i skaduar e ka konfirmuar vetë Inspektorati në njoftimin zyrtar.

“Sot Inspektorati Komunal me inspektorët e veterinarisë, sanitarisë dhe të tregut kanë zhvilluar një aksion të gjerë në disa subjekte afariste për kontroll sanitare të produkteve, me ç’rast kanë hasur në produkte dhe nënprodukte të mishit të skaduara, prishura dhe dëmtuara”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Share.

About Author