Albin Kurti e demolon Kadri Veselin dhe Bedri Hamzën, ja përplasja e ashpër

0
Loading...

Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ka pasur një përplasje të ashpër mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe ministrin e Financave Bedri Hamza.

Kurti ka hedhur akuza për Qeverinë, puna e së cilës, siç ka thënë ai, po sjellë raporte “zi e më zi”.

Ai ka thënë se problem kryesor i të bërit biznes në Kosovë, nuk është burokracia, por qasja e vështirë në kapital.

“Nuk mund të shesësh shtëpi, për të çel shitoren”, ka thënë Kurti, duke theksuar se partia që ai drejton ka planin zhvillimor që e nxjerrë vendin nga kriza.

Ai më tej e ka akuzuar Veselin se Listën Serbe e trajton njëqind herë më mirë se Vetëvendosjen, kurse Veseli i është përgjigjur se Serbisë ia ka kthyer pushkën që nga viti 1990, ndërsa e respekton çdo qytetar që e pranon dhe e respekton Republikën e Kosovës.

Në fjalën e tij kryetari i Kuvendit, Kadri Vesli i është drejtuar Kurtit se nuk e ka atë e as nuk do me pas armik, por fjalimi tij vetëm bardh e zi, është i tepruar në luftën e tij politike.

“Albin, armik nuk të kam as nuk du me të pas kurrë, të respektoj në çdo aspekt, por nuk më pëlqen nganjëherë tepër shumë e ke profesionalizuar tepër shumë luftën politike, në kuptimin pozitë dhe opozitë, nuk duhet me qu deri në fund, se njerëzit po mendojnë çdo gjë është bardh e zi”, ka thënë Veseli.

I menjëhershëm ishte reagimi i Kurtit ndaj fjalës së Veselit, të cilit i ka thënë se nuk është e vërtetë që nuk i konsideron si armiq, pasi Listën Serbe e trajton më mirë se Vetëvendosjen.

“Nuk është e vërtetë që nuk na trajtoni si armiq. Ju Listën serbe e trajtoni 100 herë më mirë se neve. he jo vetëm kaq, ju edhe na keni sharë në seancën. Por kjo tregon se nuk e keni as kulturën elementare dhe as minimumin e edukatës. Ju e keni sharë publikisht në mikrofon Vetëvendosjen. Bëjani Listës serbe kështu”, ishte përgjigjja e Kurtit.

Kurse reagimi i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli ka qenë se i respekton të gjithë qytetarët e Kosovës që e njohin shtetin e pavarur dhe sovran, ndërsa Serbisë ia ka kthyer pushkën që nga viti 1990.

“Unë Listën Serbe e respektoj shumë, edhe qytetarët e Republikës së Kosovës që e njohin shtetin e pavarur dhe sovran, unë i respektoj shumë. Me Serbinë më shumë s’muj bëj. Albin edhe ti nuk je larg meje, Serbisë ia kam kthyer pushkën prej 1990 e deri më 1999. Më shumë nuk muj me bërë edhe kurrë nuk i bi pishman. Qe sot a po i sheh dikun, ti e din vet çka të kanë ba, me respekt se edhe ti je pjesë e asaj sakrifice”, ka pohuar Veseli.

Ai është arsyetuar se situata ekonomike e trashëguar nga qeveritë e kaluara, ka krijuar presion. Sipas tij, problem më i madh është papunësia.

E Kurti më pas ka thënë se nuk po punësohen të varfërit, mirëpo militantët e partive në pushtet, si shpërblim i punës në fushata zgjedhore.

Kurse, Veseli ka thënë se rreth 350 veta të punësuar kanë qenë të VV-së.

Por Kurti ka demantuar Veselin, duke thënë se VV-ja ka ndalur mafian ndërtimore.

“Paraprakisht kjo mafia ndërtimore, e ka vrarë Rexhep Lucin, na e kemi ndal këtë”, ka përmbyllur debatin Albin Kurti ndaj Kadri Veselit.

Share.

About Author