Shqipëria dëbon diplomatët rusë, a po agravohen marrëdhëniet mes dy shteteve!

0

Përplasja mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë pas helmimit ish- spiunit moskovit dhe vajzës së tij në Salisbury, gjatë ditës së sotme solli edhe dëbimin e shumë diplomatëve.
Rreth mesditës Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Shqipërisë, që ashtu si Shtëpia e Bardhë dhe BE-ja edhe vendi ynë duhet të shpallte “non grata” diplomatët rusë.

Një orë pas kësaj kërkesë erdhi edhe reagimi i Shqipërisë duke dëbuar dy diplomatë të ambasadës ruse në Tiranë.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë i komunikoi ambasadorit rus në vendin tonë Aleksander Karpushin notën verbale për shpalljen si të padëshirueshëm të dy diplomatëve të Moskës.

“Sot, në datë 26 mars 2018, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqiperisë, SHTZ Aleksander Karpushin, të cilit i’u komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik” thuhej në njoftimin e MPJ-së.

Diplomatët që u shpallën “non grata” janë Vladislav Filippov, atasheh ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës.

Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë pas helmimit të ish-spiunit rus në Britaninë e Madhe.

Shtetet e Bashkuara urdhëruan gjithashtu mbylljen e Konsullatës ruse në Seattle.

Gjermania dhe Franca kanë njoftuar gjithashtu se do të përjashtojnë nga 4 diplomatë rusë. Edhe vende të tjera europiane, 14 në total, janë shprehur të gatshme për të bërë të njëjtën gjë.

Të gjitha këto masa erdhën pasi Britania akuzon Rusinë se fshihet pas helmimit të ish-spiunit dhe vajzës së tij në tokën britanike, edhe pse Moska ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen në Salisbury.

Britania e Madhe dëboi 23 diplomatë rusë javën e shkuar.

Ky nuk është dhe “fërkimi” i parë mes Rusisë e Shqipërisë në ditët e fundit pasi një tjetër temë e diskutuar ka qenë ajo e lobimit të Partisë Demokratike. Kujtojmë se një investigim i revistës amerikane “Mother Jones” do të publikonte disa javë më parë një sërë provash që dilnin në konkluzionin se PD ka lobuar me anë të eksponentëve rusë në Shqipëri e SHBA, një akt që sipas maxhoracnës në pushtet s’mund të cilësohet ndryshe përveçse si një skandal i përmasave shqetësuese.

Përkundër pretendimeve të qeverisë për vërtetësinë e fakteve të nxjerra nga Mother Jones, një hetim i prokurorisë tashmë ka nisur në lidhje me çështjen. Nga ana e saj opozita ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet.

Kujtojmë gjithashtu se dhe vetë Ambasada ruse në Tiranë nuk ka ndenjur e heshtur, duke i dënuar pretendimet e nxjerra nga revista amerikane si shpikje mediatike për të tërhequr vëmendjen nga lufta politike shqiptare e njëkohësisht për të goditur imazhin e Rusisë./Gazeta Express

Share.

About Author