Me shkarkimin e Sefajt u thye marrëveshja e koalicionit, AKR-ja mund ta braktisë Qeverinë

0

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka shkarkuar sot drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës Driton Gashi dhe ministrin për Punë të Brendshme Flamur Sefaj.

Por në bazë të marrëveshjes së koalicionit PAN-AKR, të arritur më 4 shtator, në nenin 5 thuhet se ministrat dhe zëvendësministrat e emëruar nga AKR mund të shkarkohen vetëm nga partia që i emëron ata në detyrat e tyre.

“Me kërkesë të liderit të AKR-së emërohen dhe shkarkohen të gjitha kuadrot që burojnë nga kjo marrëveshje e që janë përfaqësues të AKR-së, sikundër janë ministrant, zëvendësministrat etj.”, thuhet në nenin 5.

Periskopi merr vesh se tashmë AKR-ja ka shprehur pakënaqësitë e veta me shkarkimin e ministrit Sefaj, që vjen nga AKR dhe për këtë arsye mund ta shqyrtojë mundësinë e daljes nga koalicioni.

E gjithë kjo për shkak të zhvillimeve të djeshme, ku 6 shtetas turq, drejtues të shkollave guleniste, u arrestuan dhe dëbuan nga Kosova pa paralajmërim dhe pa ndonjë justifikim nga organet kompetente.

Më vonë u mor vesh se i painformuar për ngjarjen ishte edhe kryeministri i Kosovës, të cilit i është fshehur raporti i AKI-së për operacionin e djeshëm. Ai qysh dje paralajmëroi se do të veprojë në bazë të përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese. /Periskopi/

Share.

About Author