Këshilltarja e Haradinajt i kujton LDK-së “tradhtinë për postet qeveritare”

0
Loading...

Meliza Haradinaj-Stublla, këshilltarja e kryeministrit, Ramush Haradinaj,  i ka kujtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), daljen nga koalicioni VLAN-i që sipas saj është një tradhti e kësaj partie të cilën qytetarët e Kosovës nuk do ta harrojnë.

Ajo përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook ka akuzuar LDK-në se ka tradhtuar VLAN-in për disa poste qeveritare.

“Qytetari kosovar nuk harron asnjëherë kur LDK-ja tradhëtoi VLAN-in, formacionin më të madh politik të krijuar ndonjëherë në historinë e re të Kosovës, për disa poste në Qeveri. Nuk harrohet assesi qeverisja Mustafa, që me një mandat gjysmak, menaxhoi me dështimet e Kosovës, pasojat e së cilës ende po i vuajmë e do t’i vuajmë në të ardhmen”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

LDK-ja mendon se ne nuk mund t’a deshifrojmë lojën politike të tyre me qytetarin kosovar. E kanë gabim.
Qytetari kosovar nuk harron asnjëherë kur LDK-ja tradhëtoi VLAN-in, formacionin më të madh politik të krijuar ndonjëherë në historinë e re të Kosovës, për disa poste në Qeveri. Nuk harrohet assesi qeverisja Mustafa, që me një mandat gjysmak, menaxhoi me dështimet e Kosovës, pasojat e së cilës ende po i vuajmë e do t’i vuajmë në të ardhmen. Ja për shembull një pasqyrë e raport(eve) të progresit për vendin nën Qeverisjen qendrore të LDKsë:

1. Marrëveshja për Asociacionin,
2. Tentim-humbja e territorit me Demarkacionin sipas versionit Meha,
3. Dështimi i formimit të ushtrisë,
4. Dështimi në UNESCO,
5. Dështimi në Interpol,
6. Pengmbajtja e rivitalizimit të Trepçës,
7. Dështim plani për 200,000 mijë vende pune,
8. Sjellja e zero njohjeve,
9. Dështimi për kalimin e Ligjit për Prishtinën,
10. Vonesa me liberalizimin e vizave,
11. Formimi i Gjykatës Speciale,
12. Muri ndarës në Mitrovicë,
13. Raporti alarmant i PISA-s,
14. Rasti AXOS GMBH,
15. Dështimi i Fondit për Sigurime Shëndetësore,
16. Dështimi i zgjidhjes së çështjes së energjisë, për anëtarësimin e Kosovës në ENTSO-E,
17. Ofendimi i gazetarit X me fjalën ‘qen’, etj.

Si mund të harrohen pamjet drithëruese të stacionit të autobusëve në Prishtinë, prej nga 70 mijë të rinj e të reja, familje e fëmijë, kërkonin shpresën e mbytur në linjën e autobusëve për Hungari?!

Si mund t’a harrojmë kulturën politike avantureske të ish Kryeministrit Mustafa me postimet banale në Facebook, rriqrat e Malishevës, Radoniqin, e madje edhe thyerjen e fjalëkalimit të profilit zyrtar të tij në rrjetin social Facebook?

Si mund t’i mbyllim sytë kur kemi përpara kryetarë komunash anembanë Kosovës me shumë aktakuza e dyshime për korrupsion?!

…dhe lista nuk përfundon këtu!

Shkëlqimi i rrejshëm, me të cilin LDK mendon se na verbon, duke i pozicionuar ‘të rinjtë’ në frontin e parë në Kuvend, shuhet posa të mbyllen dyert e selisë së partisë, kur edhe fillon ‘shkëlqimi’ vendimmarrës i kastës së vjetër të LDKsë.

Andaj moralizimet dhe ligjëratat humoristiko-politike mendoj se duhet lënë për takimet e mbyllura të partisë, dhe assesi për lojën e hedhafajit.
Historia nuk fillon dje, e nuk mbaron nesër. Kemi rrugë të gjatë përpara, e ndryshimi ka filluar më 11 shtator 2017./Indeksonline/

Share.

About Author