Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë kërkon stacion policor në afërsi

0

Një parcelë prej rreth 500 metra katrorë do t’i jepet në shfrytëzim Policisë së Kosovës nga Komuna e Prishtinës këtu në lagjen Arbëria, ku është duke u ndërtuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kërkesa për ndarjen e kësaj parcele ka ardhur nga Policia e Kosovës për ndërtimin e një stacioni policor afër ambasadës për shkaqe sigurie, kanë thënë në Komunën e Prishtinës, raporton KTV.

Ambasada e ShBA-së nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës se pse ka kërkuar që të ketë stacion policor, por në Policinë e Kosovës kanë thënë se në këtë lokacion planifikohet të krijohet një hapësirë pune për zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për ofrimin e sigurisë pranë ambasadës.

Sipas Policisë, kjo bëhet njësoj siç ofrohet siguri edhe te ambasadat tjera.

“Kjo hapësirë pune krijohet nga PK-ja, me përmasa të bazuara në nevojën dhe numrin e zyrtarëve policorë që mund të angazhohen në ofrim të sigurisë”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për informim e PK-së.

Ndërtimi i objektit të ri të ambasadës së ShBA-së ka nisur në vitin 2015 në një hapësirë prej 5 hektarësh, të cilën Komuna e Prishtinës e ka dhënë në shfrytëzim të kësaj ambasade pa ndonjë kompensim.

Share.

About Author