Vrasja tek ‘Parku i Qytetit’ në Prishtinë, familjarët kërkojnë dënim maksimal

0
Loading...

Në gjykimin për vrasjen e dyfishtë të dy të rinjve Eron Agaj e Arianit Gashi, vrasje kjo që ka ndodhur te Parku i Qytetit në Prishtinë në vitin 2016, është dhënë fjala përfundimtare.

Prokurorja e rastit Bukurije Gjonbalaj në fjalën përfundimtare i kërkoi trupit gjykues që të akuzuarin Lulzim Idrizi ta shpallë fajtor e ta dënojë sipas ligjit si dhe me rastin e vendosjes së dënimit ajo kërkoi nga Gjykata që t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat faktike dhe të akuzuarit t’ia shqiptojë dënimin maksimal të paraparë sipas ligjit.

Sipas prokurores, pas administrimit të të gjitha provave dhe fakteve, është arritur të vërtetohet se i akuzuari e ka kryer veprën penale e cila nuk është kontestuese por që sipas saj kontestues është fakti se i akuzuari dy të ndjerët i ka vënë në lajthitje.

“Është vërtetuar në tërësi se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, janë plotësuar si elementet objektive dhe subjektive se i pandehuri e ka kryer veprën penale. Kjo çështje nuk është kontestuese por kontestues është fakti se i akuzuari dy të ndjerët i ka vënë në lajthim duke i thirrur në telefon kinse për të biseduar për shkak të borxhit, e i njëjti pa biseduar me ta ka shtënë në drejtim të tyre”, deklaroi prokurorja Bukurije Gjonbalaj.

Prokurorja tha se në bazë të video-incizimeve të cilat i posedon Gjykata mund të vërehet fare mirë momenti i vrasjes së dy të rinjve nga ana e të akuzuarit, për të cilin deklaroi se i kishte vënë në lajthitje të ndjerët pasi që fillimisht i kishte telefonuar dhe u kishte kërkuar që të takoheshin që të flisnin në lidhje me borxhin për të cilin i akuzuari i detyrohej Eron Agajt, dhe se posa të ndjerët janë paraqitur në vendin e ngjarjes i akuzuari i ka qëlluar ndonëse ata nuk kanë qenë të armatosur.

“Nga video-incizimi vërehet qartë momenti kur i akuzuari ka shtënë në drejtim të të ndjerëve. Ata nuk kanë biseduar asgjë në mes vete ashtu siç kanë mendu e për çka i ka thirrë i akuzuari mirëpo vërehet se të njëjtit nuk kanë qenë të armatosur dhe nuk kanë arritur të ndërmarrin asnjë veprim siç pretendon i akuzuari”, tha prokurorja.

Fjalën përfundimtare e kishin paraqitur edhe përfaqësuesit e palëve të dëmtuara, prindërit e të ndjerëve, Enver Agaj e Sami Gashi.

Prindi i të ndjerit Eron Agaj, Enver Agaj në fjalën përfundimtare tha se sipas tij i akuzuari paraprakisht e ka planifikuar vrasjen e dy të rinjve pasi që tha se ai paraprakisht i kishte thirrur për të biseduar dy të rinjtë por që më pas i ka prerë në besë.

“I akuzuari e ka përgatitur vrasjen më herët. Kërkoj nga gjyqtarja dhe trupi gjykues që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë për dy vepra – vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje dhe të akuzuarin ta dënojë maksimalisht sipas ligjit”, tha Enver Agaj.

Përgjatë deklarimit të palëve rreth fjalës përfundimtare reagime pati nga avokatja e të akuzuarit, Aurora Mulhaxha, e cila para trupit gjykues shprehu shqetësimin e saj se njëri nga personat të cilët ndodheshin në publik ishte duke e kërcënuar.

“Po ndjehem e kërcënuar. Personi me bluzë të kaltër po më kërcënon gjatë gjithë kohës”, tha ajo.

Në lidhje me këtë shqetësim të avokates, kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri i tërhoqi vëmendjen të pranishmeve se për çdo prishje të rendit dhe qetësisë të njëjtit do të largohen menjëherë nga salla e Gjykatës.

Njëherësh avokatja Mulhaxha deklaroi se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim dhe të njëjtën e dorëzoi para trupit gjykues.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër.

Sipas aktakuzës, Lulzim Idrizi me datë 29 gusht të vitit 2016 në Prishtinë në rrugën “Hamëz Jashari”, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një borxhi me tani të ndjerin Eron Agaj, pasi që i ndjeri Eron ka shkuar me motorin e të ndjerit tjetër Arianit Gashi, të cilin e ka drejtuar vetë i ndjeri Arianiti, me qëllim që të bisedojë rreth borxhit.

Në atë moment i akuzuari Lulzim Idrizi me dashje që të njëjtit t’i privojë nga jeta, ka shtënë në drejtim të tyre me armë zjarri, i ka goditur disa herë nëpër pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, shkaku i të cilave i ndjeri Eron Agaj ka vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa i ndjeri tjetër Arianit Gashi në QKUK.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Lulzim Idrizi me anë të këtyre veprave penale ka kryer dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë si dhe të armëmbajtjes pa leje.

Share.

About Author