Përkeqësohet djali i Halil Kastratit, e humb shikimin. Hoxha u bën thirrje njerëzve të luten për të birin

0

Ndihmoi shumë jetim e bëri me kulm shumë familje të pastreha, pa fituar asgjë në këmbim. Por, tani Hoxha dhe humanisti i njohur, Halil Kastrati ka nevojë për ndihmën e qytetarëve.
Kjo nuk është ndihmë financiare, por ndihmë shpirtërore, duke u lutur që djali tij Uvejsi të shërohet nga sëmundja e rëndë me të cilën është duke u sfiduar, shkruan Indeksonline.

Bamirësi Halil Kastrati në një intervistë për Indeksonline ka thënë se djali i tij është në Beograd ku po merr tretman mjekësor.

Ai është shprehur se djali tij po merr një terapi të rënd e cila ia ka humbur edhe shikimin.

“Ne kemi shprehur se kemi nevojë për lutjet e juaja dhe kjo fjalë e imja ka marre vërshime të mëdha të lutjeve. Djali e ka një terapi shumë të rënd, bëhet fjalë për një damar të trurit e cila ja ka hup shikimin krejt, edhe varet prej terapisë nëse reagon atëherë do të këtë shpresa për të, e nëse jo atëherë çka ka deshtë zoti. Unë çdo moment jam duke pritur lajm nga jashtë ku është djali. Djali është ne Beogradi. Beogradi i ka nxjerr diagnozën e saktë se na e kemi pasur në disa vende, Shkup e Turqi. Ata i kanë nxjerr diagnozën dhe është duke u trajtua atje”, ka thënë Kastrati me një zë të ngrysur.

Për djalin e Halilit, shumë qytetarë kanë shpërndarë duke bërë lutje, e shumë të tjerë i kanë shkruar privatisht atij duke shprehur gatishmërinë për ndihmë qoftë edhe financiare.

Mirëpo, Kastrati thotë se nuk ka nevojë për financa e donacione, por vetëm lutje për shërim të djalit.

“Po unë e kom bo këtë lutje në disa media, me kanë thirr disa njerëz. Por, ne nuk kemi nevojë për dhurim veshkave, donacione, ndihma. E vetmja ndihmë që kemi nevojë janë lutjet e juva te Zoti. Unë i jam mirënjohës krejt popullit tem, i jam mirënjohës politikanëve, me kanë thirr disa Behgjet Pacolli, Sami Lushtaku, Bekim Jashari, me kanë thirr shumë… nuk e di telefoni jem është aktiv pa ndërprerë nga thirrjet, u jam mirënjohës shumë. Mirënjohës u jam edhe juve mediave, që e keni publiku mesazhin tonë, faleminderit u jem mirënjohës të gjithëve familjarisht”, ka shtuar humanisti Kastrati.

Ai tutje ka treguar se dy raste ka pasur që njerëzit kanë ofruar edhe veshkë për shërimin e djalit të tij.

“Ishte njëri i Ferizajit, njëri i Prizrenit. Do të takohemi me atë të Prizrenit. Ka pas shumë gatishmëri prej institucioneve e popullit. Por, e vetmja gjë që kemi kërkuar janë lutjet. Nuk kemi kërkuar as donacione as asgjë, pos lutje”, ka rrëfyer tutje ai.

Përveç dy rasteve, edhe një veteran i luftës ka shprehur vullnet që të dhurojë veshkën për Uvejsin, djalin e Kastratit.

Veterani i luftës në zonën e Dukagjinit dhe ish oficeri i TMK-së, Shqiprim Lika për Indeksonline ka thënë se pa asnjë hezitim mund të dhurojë veshkën për djalin e sëmurë.

“Nuk e njoh personalisht, por vetëm e pash si lajm që fëmija i tij ka nevojë për shërim. Si veteran i luftës, si qytetar, si bashkëvendës për shkak të gjendjes së fëmijës së tij, mund ta dhuroj edhe veshkën temë, këtë mundësi e kam. Një veshkë e dhuroj për atë fëmijë nëse ka nevojë, pa asnjë hezitim”, ka thënë Lika.

Ai është shprehur se këtë e bënë për shkak të ndihmave që Halil Kastratiti ka bërë për qytetarët e Kosovës, e të cilin e çmon shumë për angazhim.

“Duke parë të bëmat si humanist, nuk e njoh personalisht, por qytetarët i ka ndihmuar shumë. E çmoj shumë angazhimin e tij për popullin dhe me preku shumë. Kjo është arsyeja pse u lajmërova vet vullnetarisht”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë që Halil Kastrati i ka dalë në ndihmë shumë familjeve me gjendje të vështirë ekonomike.

Ai deri me tani ka arritur që t`u sigurojë kulm mbi kokë 100 familjeve, ndërsa shpreson se deri në fund të këtij vitit ky numër të dyfishohet.

Kastrati e drejton shoqatën bamirëse ‘Jetimat e Ballkanit” e cila është e shtrirë në tërë territorin e Kosovës ndërsa, kuzhinat humanitare janë prezentë në tre qytete: Mitrovicë, Pejë dhe Prizren ku ushqehen jetimët, skamnorët e të pastrehët.

Share.

About Author