LDK: Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar me Serbinë

0

Lidhja Demokratike e Kosovës në një deklaratë për medie, ka konsideruar se Kuvendi i Kosovës është organi i vetëm që vendos se kush e përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë.

“Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës është organi i vetëm që vendos se kush e përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë. Kuvendi i Kosovës nuk ka vendosur ende për këtë çështje, pasi platforma për dialog me Serbinë, që ishte në rend ditë në Kuvend, u tërhoq nga Qeveria”, thuhet në komunikatë.

LDK beson se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet me fqinjin verior, Serbinë.

“Dëshirojmë të përshëndesim angazhimin e miqve tanë ndërkombëtar në këtë proces, BE-së dhe SHBA-së”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sipas LDK, platforma e vitit 2011 e autorizon Qeverinë të dialogojë me Serbinë.

“Rrjedhimisht, Presidenti Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës. Kështu që, çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel mund të jetë vetëm marrëveshje e tij private, por jo në emër të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

LDK-ja nuk e mbështet Presidentin që të zhvillojë dialogun me Serbinë duke thënë se Ai nuk e përfaqëson vullnetin politik të Kosovës.

“LDK-ja, si partia kryesore në vend, është e gatshme të marrë përsipër këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Këtë përgjegjësi ne do ta marrim përmes votës së qytetarëve, në zgjedhje të lira”, përfundon komunikata.

Share.

About Author