Asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Drenasit, Sokol Bylykbashi ka reaguar ashpër lidhur me punësimet klanore që po ndodhin në Komunën e Drenasit nga qeverisja e kryetarit Lladrovci.
Ai nëpërmjet një reagimi për Gazetën “Drenica Sot” thotë se kjo është “faturë” e pa paguar e Lladrovcit me anë të të cilëve ka fituar pushtetin në Drenas.
Ja reagimi i tij për Gazetën “Drenica Sot” :
Kryetari Ramiz Lladrovci po e vazhdon avazin e vjetër, punësimet në baza partiake e klanore. Lladrovci tashmë ka filluar që t’i paguaj “faturat e militantëve”, që si rrjedhojë do të shohim shumë punësime dhe largime nga puna që bien ndeshë me parimet e qeverisjes së mirë.
Në seancën e kaluar të Kuvendit Komunal, kam mbajtur një fjalim, ku ka dhënë detaje për punësimet e familjarëve të zyrtarëve të PDK-së dhe atyre komunalë. Të gjitha konkurset për vende pune në Komunë janë të kurdisura për individ, që kanë lidhje të forta me pushtetin.
Në konkursin e fundit për zyrtar për shërbime me qytetarë, nga 51 persona që kanë aplikuar, 50 prej tyre janë mashtruar, sepse kryetari e ka bërë pazarin në KK dhe kësisoj, aplikantët janë përjashtuar nga e drejta e tyre për të konkuruar fer me njërin prej aplikuesve. Kjo çka po ndodhë në Komunën tonë është një llojë krimi, shkelje e të drejtave të njëriut- mohimi nga e drejta për punë.