Mbi 300 person të infektuar me sëmundjen e zgjebes

0

Mbi 300 persona të infektuar me sëmundjen e zgjebes, apo siç njihet në popull “zhuga”, këtë vit kërkuan trajtim mjekësor në Klinikën e Dermatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Shtimi i numrit të rasteve është shqetësues për stafin e kësaj klinikeje. Ndërsa, zyrtarë të Inspektoratit Sanitar të Kosovës i thanë Radio Kosovës se nuk janë të njoftuar nga institucionet shëndetësore lidhur me situatën aktuale.

Rritja e numrit të të infektuarve më zgjeben apo zhugën siç njihet në popull, ka shqetësuar edhe stafin e Klinikës së Dermatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Mybera Ferizi, dermatologe, tha për Radio Kosovën se çdo ditë pranojnë raste të reja që janë të infektuar nga zgjebja apo zhuga.

“Sigurisht në vendet e zhvilluara nuk ekziston, ose edhe nuk e dallojnë zgjeben se cila është… e ne kemi çdo ditë raste të reja të pacientëve. Familjarët kryesisht fëmijët i çojnë në klinikë, i çojnë edhe i trajtojnë si alergji, ku trajtimi bëhet me muaj dhe ku pastaj domosdo ngjitet edhe te anëtarët e tjerë”, tha ajo.

Dermatologia Ferizi tregon se cilat janë vendet që janë me të atakuara nga ky infeksion.

“ Çerdhet, shkollat,konviktet,besa kemi edhe një numër të pacientëve që kur ua marrim anamnezën, thonë që po shkojnë në këto palestra”, tha ajo.

Ndërsa, kryeinspektori sanitar në Inspektoratin Shëndetësor të Kosovës, Ibrahim Tërshnjaku, fajëson institucionet shëndetësore që nuk i kanë njoftuar lidhur me këtë situatë.

“Deri sa nuk jemi të informuar, nuk kemi njohuri për rastet e këtilla. Përndryshe, ne na obligon ligji që në raste të tilla të sëmundjeve ngjitëse dhe raportimit te profesionistët nga institucioneve shëndetësore ne të marrim masa adekuate me dispozitat ligjore që na takojnë. Dhe për raste të tilla për të cilat nuk kanë raportuar, janë përgjegjës institucionet shëndetësore apo përgjegjësit e atyre institucioneve që nuk kanë raportuar për sëmundjet ngjitëse”, tha ai,

Sipas raportimit nga Klinika e Dermatologjisë te drejtoria e SHSKUK-së, del se në pesë mujorin e parë të këtij viti janë regjistruar gjithsej 329 raste, ku në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin 107 raste të infektuar me zgjeben.

Share.

About Author