”Rrapi i vendlindjes” vlon nga atdhetarizmi

0

“RRAPI I VENDLINDJES” VLON NGA ATDHETARIZMI

Profesori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ragip Gjoshi, krijimtarisë së vet letrare, publicistike dhe shkencore sot i ka shtuar edhe një vepër letrare.

“Rrapi i vendlindjes” titullohet vepra e tij më e re poetike të cilën e ka botuar Shtëpia Botuese “Armagedoni”, nën udhëheqjen e drejtorit të saj Berat Armagedoni, i cili ka shkruar edhe një parathënie të gjatë për të, në të cilën ka analizuar përbërësit poetikë të cikleve Morfologjia e një populli, Morfologjia e një lufte, Morfologjia e një paqeje, Morfologjia e një dashurie. Më poshtë mund ta lexoni parathënien e botuesit dhe disa poezi të autorit.

PO PARATHEM

 

Në fillim qe kështu

 

Autori i kësaj vepre me poezi, Ragip Gjoshi, këtë lloj të krijimtarisë artistike ka nisur ta shkruajë dhe ta botojë në moshë të re, kur ndiqte mësimet në Normalen e Prishtinës. Dëshmitë për këtë nisje poetike janë të shumta: ai ka disa fletore me shënime të ndryshme, me kujtime, kryesisht me poezi, të shkurtra dhe të gjata, që ende i ruan në bibliotekën e vet dhe i lexon kohë pas kohe, pranë nipave, me vështrim kritik, me shije tjetër, po me mall të vjetër. Po në këtë bibliotekë ka edhe shumë numra të gazetës Rilindja, të Zërit të Rinisë, të Bujkut e të tjera, në të cilat ka botuar poezi dhe lloje të tjerave të shkrimeve letrare. Disa prej atyre poezive, të shkruara në një variant tjetër, tashmë të ripunuar, i kemi përmbledhur në këtë vepër.

Pse them i kemi përmbledhur?

Sepse Ragip Gjoshi, në një bisedë për lirikën e vet, më tha se disa prej poezive që i rrinë vetëm në revista dhe gazeta që sa vite ka qejf t’i përfshijë në një vepër. Në këtë vepër. Prandaj ai kapi fletoren me poezi shkruar me laps dhe i “zbardhi” ato në “Word” të kompjuterit. Të njëjtën punë bëri edhe për poezitë që kishte botuar në revista dhe gazeta. Ndërkaq, ato poezi të vetat që s’i gjente në numrat e gazetave dhe të revistave që i mungonin në bibliotekën e tij, i gjeja unë në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Dhe, pasi korrëm çfarë kishim për të korrur për një muaj e më tepër kërkim dhe i bëmë bashkë në një dokument të dyja dokumentet, nisëm të diskutojmë për krejt poezitë e tij, për vlerat e tyre. Disa poezi i hoqëm krejt dhe i lamë mënjanë për një tjetër libër, në disa bëmë përmirësime teknike, në ndonjë tjetër thyerje ndryshe të vargut, disa të tjera, me propozimin tim, Gjoshi i veshi me stoli të rënda dhe të lehta, të ndritshme dhe të errëta. Në fund të këtij “manifesti” autori i veprës u tërhoq dhe më la qetë ta bëj punën time prej botuesi: ta shkruaj parathënien, ta thyej teknikisht, ta punoj fytyrën dhe shpinën dhe ta shtyp veprën.

 

Ndërkohë, kështu

 

Poezia e Ragip Gjoshit, jo edhe cikli i fundit, vlon prej atdhetarizmit. Edhe pse është letërsi, poezia e tij nuk ka personazhe. Poezia e tij ka persona. Ka njerëz që, për liri të popullit të vet dhe për mbrojtjen e tokës së vet, kanë lënë kokën. Edhe ata që kanë mbetur gjallë janë në gjendje të vdesin për atdhe nëse vendin e tyre e kërcënojnë të tjerët, siç ka lënë kokën për liri Adem Jashari me familje, shumë familje shqiptare të Drenicës, të Dukagjinit, të Pashtrikut, të Llapit e kudo tjetër vend ku është bërë luftë në Kosovë para njëzet vjetësh e para shumë njëzetëshave të tjerë, pas sundimit të gjatë e të egër të pushtuesve të huaj që i shënon historiografia jonë një nga një, secilin më të keq e të egër se tjetrin. Po ashtu, kanë lënë kokën, po në luftë, edhe burrë e grua, heroi Fehmi dhe heroina Xhevë Lladrovci, përkrah e larg tyre edhe shumë luftëtarë të tjerë, të fortë dhe të sertë, për të cilët shkruhet kjo vepër në shenjë nderimi dhe kujtimi për heroizmin e tyre të pashoq.

Lirika atdhetare e Gjoshit ka rrënjë në të vdekurit dhe në të gjallët. Se si duhet dashur dhe mbrojtur atdheu, tregojnë të gjallët që bëjnë me gisht kah të vdekurit, të cilët i nderojnë me gjeste (përkulje), me sende (përmendore, lule, kurora etj.), me fjalë të bukura (poezi) sikurse Gjoshi që, në fillim të veprës së vet poetike, rendit një poezi të gjatë, me titull Poema dardane, me përkushtimin (Popullit tim), të cilit ia numëron betejat për liri dhe jetën bërë ndër male, veçanërisht në vitin 1997, 1998, 1999, kur nisi lufta dhe u shkrep e u shtri në tërë Kosovën dhe nuk u identifikua vetëm me një njeri si disa dekada më parë disa luftëra në territore të Kosovës, kryesisht në Drenicë, po me tërë popullin shqiptar të Kosovës, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Së këndejmi, në këtë poezi, më të gjatën në këtë vepër, e cila shfaq tiparin e atdhetarizmit si askund tjetër, është ADN-ja e popullit shqiptar, përpjekjet shumëvjeçare të tij për pavarësi. Shohim në të se secili pasardhës, i ri dhe i vjetër, i ka detyrat e ndara për ta mbrojtur dhe çliruar popullin dhe atdheun nga sundimi i huaj. Nuk ka nevojë t’u shpjegohen, secilit veç e veç, detyrat. Doracak kanë të tashmen dhe të kaluarën e vet. Kanë rrëfimet e të moçmeve për heroizmin e moshatarëve të tyre për mbrojtjen e atdheut. Daljen ndër male dhe luftën nën male e në fusha e kanë obligim edhe kur flakërojnë çdo gjë para vetes. Edhe veten. Aty diku, në arën e bukës, janë të parët e tyre që, po si fara e re, kanë mbirë pasardhës të zotë:

Këto male janë djegur njëqind herë

njëqind e një herë të tjera më të bukura e të gjata

bërë janë

mund të them se janë mbjellë në ta shqiptarë

fëmijë, pleq, gra

nënë e bijë pranë

babë e bir përbri

mbi ta edhe shumë fëmijë.

Edhe pse duket, për ata që e kanë përjetuar luftën e fundit, të para njëzet vjetësh, këtu asgjë nuk është zmadhuar. Thënë teorikisht, këtu nuk ka hiperbolë. Këtu ka vetëm realitet. Këtë kujtesë kombëtare e kemi të freskët dhe e përjetojmë për çdo ditë teksa, nëse jo ne, bashkëkombësit tanë kërkojnë të pagjeturit e luftës së fundit në tokën tonë dhe në tokën e huaj, të cilët, pasi janë masakruar për së gjalli nga serbët, janë groposur dhe fshehur kush e di se ku. Por, kurdoherë, toka krimet do t’i nxjerrë jashtë sikurse i ka nxjerrë deri më tash, me ndihmën e bashkë-punëtorëve, të miqve, të armiqve e të organizatave ndërkombëtare, shumë mbetje të personave të pagjetur. Ndërkaq, kjo dhembje do të vazhdojë të përjetohet gjatë, edhe të shkruhet më gjatë sesa mund të jetojnë përjetimet e të mbijetuarve:

Kjo tokë kudo ka dhimbje

njolla gjaku kudo ka

gjymtyrë trupi të këputura

edhe eshtra vdekjeprurës

prej atyre që helmojnë si te Gjenerali…

 

Pastaj, kështu

 

Ragip Gjoshi pothuajse në çdo poezi përmend tokën, luftën, shkëmbinjtë, gjyshin. Pa dyshim se është i lidhur shumë me vendlindjen, me Kosovën, historinë e së cilës, sidomos atë të para njëzet vjetësh, e tregon nëpërmjet vargjeve. Në këtë vepër poetike të tij ka dromca nga jetëshkrimi i tij, i fisit të tij dhe i popullit të tij. Jo një herë thotë, ashtu sikurse i ndjeri Ali Podrimja pak më ndryshe në poezitë e veta, se këtij vendi ia njeh gëzimet, dhembjet, mërzitë, ëndrrat, ndodhitë, gjithë anatominë dhe morfologjinë. Prandaj, duke pasur këto njohuri fizike dhe psikike për të, bën ndarjen e poezive në këta cikle: Morfologjia e një populli, Morfologjia e një lufte, Morfologjia e një paqeje, Morfologjia e një dashurie. Pra, populli, lufta, paqja dhe dashuria janë bërthamat e vargjeve të tij, të cilat në këtë vepër i gjeni edhe të gjitha bashkë në një poezi, edhe të shpërndara në disa poezi. Tri morfo-logjitë e para kanë strukturë të njëjtë të strofës dhe të vargut të lirë, kurse e katërta dallon prej tyre. Kjo e fundit është poezi më personale dhe familjare sesa të tjerat e mëparshme, pasi në të gjejmë autorin që shkruan, ndër të tjera, poezi edhe për gruan e vet, diçka ashtu sikurse i shkruante Agolli poezi Sadisë për pleqërinë.

Gjoshin, kur ishte në moshën tridhjetëvjeçare, e shqetësonin disa ndodhi të shqiptarëve. Ai është rritur në ato oda në të cilat flitej për gjarpërinjtë e gjakut, pra për hakmarrjen. Në këto oda kishte dëgjuar dhe kishte parë të tjerët teksa i lexonin “nyjet” e Kanunit të Lekë Dukagjinit të cilat, sipas tij, nuk ofronin zgjidhje, po vetëm thellonin të keqen dhe hasmërinë ndër familje shqiptare. Prandaj, ky i ri, edhe pse rrinë me të vjetrit, bën copë-copë Kanunin e Lekës dhe, si një pajtimtar i vjetër, shkon nëpër familje dhe kërkon të shtrihet dora e pajtimit:

Shekulli im disfatën mund

ngadhënjen kundër Lekës së plakur

ia thyen kockat Kanunit

copë-copë e bën portretin e tij.

Poetin e shqetëson edhe historia e popullit të Kosovës kur atë e dëgjon nga të tjerët gjatë udhëtimit nëpër shtete të ndryshme ballkanase, të cilën thonë se e kanë mësuar keq dhe e tregojnë keq, zi e me zi, ballkanasit e vonë, të vjetër dhe të rinj.

 

Ndërkaq në fund, kështu

 

Vend në poezinë e tij, siç thamë dhe më parë, ka edhe dashuria për, dikur të dashurën, në kohën kur poeti ishte beqar, ndërkohë edhe për gruan, së cilës, njashtu si popullit të vet, ia njeh të gjitha dhembjet sa herë që ajo i ankohet për shëndetin:

Po mplakemi grua po mplakemi

ditë e natë e ditë për ditë

mbushur jemi thinja dhe rrudha

kështu të vjetra i kemi krejt gjymtyrët.

 

Poeti, në poezitë e ciklit të parë dhe të dytë, duke përshkruar heroizmin e heroinës Xhevë Lladrovci të treguar në luftë, e cila vritet përkrah burrit duke luftuar përballë armiqve serbë, gruan dhe burrin nuk i dallon as për nga forca fizike, as për nga trimëria. Ai në poezitë e veta rëndësi të madhe i kushton qenies grua, nënës dhe vajzës, ndaj të cilave zgjedh figurat më të bukura stilistike. I keni këtu. Gjejini.

 

Sh. B. Armagedoni

 

Poezi nga cikli “Morfologjia e një dashurie”

 

Ragip  Gjoshi

 

MORFOLOGJIA E NJË DASHURIE

 

 

Prej që flet t’i kam numëruar dhembjet

numëruar t’i kam dhe plagët

grindjet

këngët

ngritjet dhe

rëniet

vallet

 

Këtu i ke

të gjitha të shënuara me datë

veç ndaje kohën dhe

nisja numëroji

dhembjet tua

të miat njëherësh

e imja dashuri

 

 

PEIZAZH

 

 

Në sqepin e një zogu

rri varur peizazh vjeshte

erërat e shpejta

shkëmbinjtë e mëdhenj

horizonti i kaltër

lisat pa gjethe

fushat bashkë me bagëtinë

të gjitha të varura rrinë

vetëm ty s’të shoh asgjëkund

ku je

e mirë moj

 

 

KUR QËLLON TË JESH E VIRGJËR

 

 

Të qenë sulur i madh e i vogël

i ri dhe i vjetër

i keq dhe i mirë

i bukur dhe i shëmtuar

i pasur dhe i varfër

lirak dhe zhytarak

urtar dhe udhëtar

si zagarët ndjekur të kanë

ditën dhe natën

në mal dhe në fushë

edhe brenda në shtëpi të kanë hyrë

edhe dyert t’i kanë thyer

edhe këmbët t’i kanë lëpirë

edhe kur të kanë dhe i ke pështyrë

prapë shikimin kah ti mbajtur e kanë

moralistët e vjetër

lakmitarët e virgjërisë

 

 

ASAJ

 

 

Afrohu pak më përkëdhel

ja unë gjeta kohë për ty

lërë mënjanë sot atdheun

më bëj hije këtu përmbi

 

Dhembja e atdheut është e madhe

po e madhe është dhe ndjenja ime

afrohu pak çaste këtu sorkadhe

ma shëro të lutem këtë dhembje

 

Pusho tani dhe pak fli

po e vështroj atdheun nga një cep

do të vij ndërkohë sërish te ti

me një copë atdhe në gji

 

 

KUJTOJE ÇASTIN TONË

 

 

Ka ditë që ik nga unë

ka ditë që të ndjek pas

dashuria vonon kështu

vonon dhe çasti ynë

 

Ti shkon s’e di se ku

po unë e di pse të vete pas

rrenacakët na prishin punë

më shumë ata që i kemi larg

 

Ndalu veç pak çaste

vetëm për një fjalë

do të vij sërish pas teje

sa herë malli të më marrë

 

 

AH PO TË ISHA FIJE KASHTE

 

 

Terri ka rënë mbi tokë

ajo ende rri shtrirë në fushë

shkundë barin nga vithet nga gjoksi

ndrydh fije sane me buzë

 

Era i ngre fustanin

flokët i çon përpjetë

rrëqethje i shkon lëkurës

nga këmbë duar dhe veshë

 

Vështroj dramën e saj

dhe hënën e plotë përmbi

zemra ma do të isha sonte

të paktën aty përbri

 

MPLAKJA

 

 

Po mplakemi grua po mplakemi

ditë e natë e ditë për ditë

mbushur jemi thinja dhe rrudha

kështu të vjetra i kemi krejt gjymtyrët

 

Shëtitjet veçse i kemi të reja

larg përtej fisit tonë plak

bëjmë qejfe këtu bri detit

naje herët e natën vonë

 

Kemi kohë që mplakemi bashkë

118 vjet bashkë po të dy

fytyrat tona kanë më shumë vjet

sesa këto që kemi në letërnjoftim

 

 

KUR ZURI TË VDISTE

 

 

Ditë për ditë po më thoshte

se nuk ndihet aspak mirë

ngushëllonte veten dhe mua

kemi të bijat dhe të bijtë

 

Dhe filloi ngadalë të vdiste

të ngushëllohemi filluam dhe ne ngadalë

vdekjen shihnim para syve

në sytë, fytyrën dhe duart e saj

 

Nuk di pse u dashtë kaq herët

t’i prishësh fytyrat tona

të thyera do të mbeten përherë

dëshirat dhe zemrat tona

 

 

AMANETI QË M’U DHA

 

 

Qershor ishte muaji

i vitit kush e di tash se sa

ike nga kjo botë

si shumë e shumë të tjerë

shpejt e shpejt

shpejt e shpejt

 

S’kërkove shumë të të plotësoja

prej dëshirave që dikur shumë kishe

vetëm të shkruaja në gur varri doje:

Kjo grua e imja ishte

Share.

About Author