Vëllezërit Geci të gatshëm për ballafaqim me Thaçin në Gjykatën Speciale

0
Loading...

Ish deputeti i Kosovës, Fadil Geci , një ashtu vëllai i madh i vëllezërve Geci nga Llausha, përmes një shkrimi, ka shkruar se komunikatën numër 59, kundër vëllait të tij, Gani Geci, e ka shkruar presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi.

Fadil Geci në një bisede për “Bota sot” ka thënë se Hashim Thaçi, e ka barrën kryesore sa i përket vrasjes dhe përçarjes së intelektualëve shqiptar.

“Ne jemi të gatshëm me gjithë opinion politik të ballafaqohemi me të si në Gjykatën Speciale ashtu edhe në Gjykata tjera ndërkombëtare. Së pari sa i përket komunikatës nr. 59 i kam shkuar në shtëpi Hashim Thaçit në vitin 1998 ku në atë kohë jam takuar me babin e tij Haxhi Thaçin dhe vëllanë e tij i kam kërkuar argument për ato që i ka thënë, dhe ata janë zotuar që do të kthejnë përgjigje rreth komunikatës por nuk kanë bërë asgjë. Komunikata ka qenë veprimi i fundit, sepse tashmë kanë filluar të dalin në shesh të gjitha gjerat. Qëllimi kryesor i Hashim Thaçit kanë qenë me dhënë urdhër për të vrarë të gjithë familjen Geci dhe për te na thyer moralisht ne dhe përkrahësit e idealit dhe fuqisë se presidentit Rugova. Ne kemi kërkuar publikisht që ai ti argumentojë ato deklarata dhe nëse nuk ka çfarë te ofrojë të kërkoje falje se ka gabuar rreth asaj komunikate, po ai nuk dëshiron, dhe nëse nuk dëshiron le ta din gjithë shqiptaria se çfarë njeriu është Hashim Thaçi. Pas vrasjes se familjes Jashari e cila ka qene familje atdhetare, kemi qene ne ata familja Geci që është dashur ti mbrojmë institucionet e Kosovës, dhe qëllimi i tyre i këtyre njerëzve dhe i shokëve të tij ka qenë me na ulë dhe të na vras. Edhe presidentin Rugova dhe te gjithë krerët akademik Thaçi dhe grupi i tij e kanë quajtur tradhtar. Barrën kryesore për përçarjen e shqiptareve dhe vrasjen e intelektualëve shqiptar e ka vetëm Hashim Thaçi. Mirëpo ai ja ke bërë të gjitha vetës, sepse kush ja hap gropën tjetrit bie vete, e edhe në këtë rast Thaçi do të jap përgjegjësi”, është shprehur ai.

Tutje, vëllai i madh i familjes Geci, Fadil Geci ka shtuar se Thaçi ka përçarë edhe Dukagjinin.

“I vetmi përçarës ne te gjitha trojet shqiptare, numër një është Hashim Thaçi. Dukagjini ka pasur shume njerëz të çmuar dhe intelektual që kanë qenë të bashkuar në luftë por, sapo ka shkuar Thaçi i ka përçarë. Pra, përgjegjësinë për këtë përçarje në Dukagjin por edhe në gjithë Kosovën e ka Hashim Thaçi. Jo më kot e ka pasur nofkën “Gjarpri”, sepse ky vetëm gjuan ndërsa tjetër kush e merr përgjegjësinë. Thaçi është përgjegjës për të gjitha përçarjet e shqiptarëve, ndërsa tani në momentin që e ka marr pushtetin, të bëmat e tij mbesin dhe nuk fshihen asnjëherë”, ka thënë Fadil Geci.

“Ka shumë djem që janë në burgje, por që janë të pafajshëm. Për, këtë bie përgjegjësia tek Thaçi dhe persona të tjerë”, ka shtuar ai.

Ditë më parë, Fadil Geci nëpërmjet një komunikate ka treguar se, Milaim Zeka, bazuar në dëshminë e Jakup Krasniqit , Famir Limajt dhe Rexhep Selimit, u kishte thënë se, komunikatën numër 59 e ka shkruar Presidenti Thaçi.

Shkrimi i plotë:

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës edhe sot me datën 11.07.2018 në orën 16:13 kemi marr konfirmim të fuqishëm nga gazetari dhe deputeti Milaim Zeka, se komunikatën nr.59 në emër të shtabit të përgjithshëm të UÇK-ës e kundër vllaut tonë Gani Gecit dhe familjes sime e ka shkruar me dorë të vet Hashim Thaçi. Sipas tre dëshmitarëve që Milaim Zeka i përmend me emër dhe mbiemër: 1.) Jakup Krasniqi2.) Rexhep Selimi3.) Fatmir Lima Komunikatën nr.59 e ka shkruar Hashim Thaçi.

Sipas tre dëshmitarëve që Milaim Zeka i përmend me emër dhe mbiemër:1.) Jakup Krasniqi2.) Rexhep Selimi3.) Fatmir Lima Komunikatën nr.59 e ka shkruar Hashim Thaçi. Sipas Milaim Zekës, Hashim Thaqi ia ka lexuar Rexhep Selimit në telefon satelitor komunikatën nr.59 dhe Rexhep Selimi i ka thënë Hashim Thaçit se këto shpifje unë nuk i përkrah ndërsa Hashimi ka thënë „ e di por po du me ja fut“. Edhe Jakup Krasniqi zëdhënësi i UÇK-së edhe Fatmir Lima e ka konfirmuar të njëjtën gjë se Komunikatën nr.59 e ka shkruar Hashim Thaçi. Tani e tutje me personin që e ka shkruar Komunikatën nr.59 në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së do të ballafaqohemi në të gjitha instancat gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare. Unë Fadil Geci disa ditë pas publikimit të kësaj komunikate (në fund të 1998-ës) kam shkuar në shtëpinë e Hashim Thaçit në Burojë dhe kam kërkuar nga Haxhi Thaçi që të kontaktoj djalin e tij Hashim Thaçin dhe të sqarohemi se çfarë argumentesh ka për vëllaun tim dhe kush e ka shkruar këtë komunikatë.

Vëllau i Hashim Thaçit, Gani Thaçi më ka thënë se do të kontaktojmë brenda një muaji dhe do të përgjigjemi, por nuk u përgjigjën kurrë. Për familjen tonë dallimi në mes të atij që e ka shkruar komunikatën nr.59 dhe Sllobodan Millosheviqit është vetëm gjuha, Millosheviqi fliste serbisht ndërsa shkruesi i komunikatës fliste shqip dhe mendonte serbisht.

Çka përmban komunikata nr.59

– Komunikata Nr 59 njihet si “dokumenti” më fyes e me shpifje më denigruese e cila u dha në opinion në vjeshtën e vitit 1998 përkatësisht më 31 tetor 1998 dhe u botuar në gazetën Bota e re. Kjo komunikatë nuk ka autor ndërkaq si të tillë e kanë kundërshtuar edhe drejtuesit e lartë të UÇK-së në Drenicë si Sami Lushtaku, Bashkim Jashari, Nuredin Lushtaku, Ilaz Kodra, Jetullah Geci, Xhevat Dajaku e luftëtarë e komandantë të tjerë nga Drenica.

Në atë komunikatë fyese e me plot të pavërteta, akuzohej rëndë luftëtari i ditëve të para të UÇK-së Gani Geci.

19 vjet pas kësaj komunikate, media sjell shkrimin e gazetarit të Rilindjes, Sabit Istogu në të cilën ai evokon kujtime të asaj kohe që ndërlidhen me këtë komunikatë.

Ja letra e Sabit Istogut

Pas përfundimit të ofensivës famëkeqe serbe në shtator të vitit 1998 mbi fshatrat e Qyçavicës,ku ndodheshin të strehuar dhjetëra mia të shqiptarë të zhvendosur nga vatrat e tyre,nga te cilët okupatori serb vrau e masakroj qindrasish, si burgosi e keqtrajto rënd edhe shumë të tjerë.

Çuditërisht, rreth fund të shtatorit të këtij viti në ish gazetën e atëhershme ditore “Rilindja”, u botua një komunikatë ndjellakeqe,e vrazhde e cinike e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, se gjoja luftëtari Gani Geci i kishte prirë ushtrisë serbe në disa nga këto ofensiva duke marrë pjesë në vrasjen e popullatës së pafajshme shqiptare.

Posa e kam lexuar këtë komunikatë, që nuk kishte të bënte fare me realitetin, sepse Gani Gecin e kisha parë në Prekaz, kisha bindjen se kjo nuk ka dalë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, por nga ndonjë individ i këtij shtabi, duke keqpërdor kështu emrin dhe emblemën e kësaj ushtrie, vetëm e vetëm për ta njollosur dikën, që për një luftëtar ishte tepër e rëndë.

Pas pak ditësh, derisa isha kthyer nga terreni, në mbrëmje, më trokiti dikush në xhamin e dritares se shtëpisë sime, dhe pasi dola, pashë se ishte dikush nga vëllezërit Geci. Hymë brenda dhe ai me prezantoj të shkruar një reagim të asaj komunikate, dhe me porositi që ta shtypesha në makinë shkrimi, dhe po ta kisha ndonjë vërejtje edhe ta plotësoja. Të nesërmen në të njëjtën kohë, trokiti në xhamin e dritare qetas Haxhi Geci, njëri nga vëllezërit Gaci, dhe pasi serish hymë brenda,e lexuam ngadalë reagimin e komunikatës, Haxhiu me tha që ta dërgoja me fax në redaksinë e Gazetës “Rilindja”, por unë i rekomandova që reagimi nuk mund të ishte I plotfuqishëm, nëse ne reagim do te futën edhe emrat me nënshkrimet e atyre komandantëve, me të cilët Ganiu thoshte se kishin qenë s’ bashku kur ishte zhvilluar ofensiva serbe, dhe ashtu edhe u veprua.

Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Fatmir Limaj dëshmitarë për komunikatën nr.59?

Lidhur me këtë çështje gazeta “Bota sot” ka kontaktuar me deputetin Milaim Zeka i cili është shprehur se ishin pikërisht Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj dhe Rexhep Selimit që i thanë atij personalisht se, deklaratën e ka shkruar Hashim Thaçi.

Tutje, Zeka ka thënë se ai nuk e ka pare që komunikatën e ka shkruar Hashim Thaçi mirëpo ishin pikërisht Krasniqi, Limaj e Selimi ata që i thanë se ate e ka shkruar Hashim Thaçi.

“Unë me Gani Gecin kur kam folur i kam thënë që Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj dhe Rexhep Selimi me kanë thënë që atë komunikatë e ka shkruar Hashim Thaçi. Unë mundem me thënë atë që më kanë treguar këta tre persona. Unë i kam thënë atyre kush e ka shkruar këtë komunikatë për arsye se nëna ime është nga Llausha andaj edhe e njohë familjen e të gjithë Gecëve, nuk kam pas fërkime as mospajtime kombëtare, i kam çmuar dhe respektuar gjithnjë. Në bazën e asaj më ka interesuar më ditë së kush e ka shkruar dhe versioni i këtyre tre personave është se komunikatën e ka shkruar Hashim Thaçi“, ka përfunduar gazetari dhe deputeti Milaim Zeka.

Krasniqi: “Ata e dinë”, nuk jemi pajtuar kurrë me familjen Geci

I qasshëm për gazetën “Bota sot” ka qene edhe një nga dëshmitarët e lartpërmendur ne deklaratën e Zekës, Jakup Krasniqi.

Ish kryetari i kuvendit Jakup Krasniqi, ka thënë shkurt se familja Geci nuk kanë pasur probleme me të edhe pse nuk janë pajtuar dhe as nuk pajohen edhe sot.

“Ata e dinë! Unë, nuk kam mohuar kurrë dhe asgjë që e kam bërë në jetën time. Por, nuk kam marrë as përgjegjësin që nuk ka qenë e imja. Ata e dinë që s’kanë pasur probleme me mua edhe pse nuk jemi pajtuar e nuk pajtohemi as sot” ka thënë Jakup Krasniqi për “Bota sot”

Ndërsa përpos Jakup Krasniqit, gazeta “Bota sot” ka provuar të kontaktojë edhe me Rexhep Selimin.

Ky i fundit ka qenë i qasshëm për gazetë, mirëpo sapo i kemi treguar për këtë çështje ai shkurt është përgjigjur që nuk do të flasë rreth kësaj teme.

“Nuk dua të hy fare në këtë temë, nuk kam çfarë te flasë”, ka thënë deputeti i VV-së, Rexhep Selimi.

Ndërsa, për gazetën “Bota sot” nuk është përgjigjur dëshmitari i tretë i komunikatës nr.59, Fatmir Limaj.

Share.

About Author