Nipi i Thaçit, shoferi i Bekim Jasharit dhe dëshmi tjera për prapaskenat e LIMAK-ut me politikanët

0

Familjarë të politikanëve vendorë, kanë përfituar në mënyra të ndryshme nga kompania turke Limak, e cila tashmë e ka në pronësi Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Vende pune dhe kontrata për bizneset e lidhura me politikanë, janë vetëm disa nga përfitimet e tyre, që i kanë bërë nga kompania Limak.

Të përfshirë në përfitimet e ndryshme nga Aeroporti i Prishtinës, janë disa nga njerëzit kryesor të politikës kosovare, si nga PDK dhe LDK.

Një hulumtimi nga ‘Prishtina Insight’ ka nxjerrë në pah favorizimet që kjo kompani ua bënë familjarëve të politikanëve.

Favorizim për futje në punë janë bërë edhe për politikanët kryesorë të vendit, si ata të presidentit Thaçi, ish-ministrit Skender Hyseni, ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja dhe disa të tjerë.

Presidenti Thaçi, e ka të punësuar në Aeroportin e Prishtinës, nipin e tij, Sinan Thaçi. Ish-ministri i Punëve të Brendshme nga radhët e LDK-së, Skender Hyseni, në këtë kompani e ka punësuar djalin e tij, Yllin. Kurse, po ashtu në Aeroportin e Prishtinës, është punësuar edhe gruaja e ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, Kadrie Buja.

Kompania Limak, gjithashtu u bënë favore të mëdha edhe kompanive që janë të lidhura ngushtë me disa politikanë vendorë. Një favor të tillë “Limak”, ia bënë kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari, i cili nga vitet 2008-2016, kishte qenë drejtor i Aeroportit.

Limak i ndanë 10 mijë euro në muaj për kompaninë ‘H & B ShpK’, për shërbime konsulente, kompani e cila është pronë e Murat Mecinit, shoferit të kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari.

Drejtori i Limakut, Haldun Firat Kokturk ka dhënë një arsyetim qesharak kur është pyetur për kompaninë “H & B ShpK” e cila është pronë e shoferit të Bekim Jasharit, Murat Mecinit.

“Kjo mund të duket një gjë e tillë, por ai është pronari i kompanisë dhe ne kemi punëtorë sezonal për pastrim dhe siguri”, ka thënë Kokturk për Jnk.

Për të gjitha këto privilegje dhe favorizime në punësimet në Aeroport, kishte folur edhe ish-zëvendësdrejtori dhe kreu i financave në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror të Kosovës, Bujar Ejupi.

Ai gjatë vitit të kaluar, përmes një letre kishte paraqitur 10 raste në Aeroportin e Prishtinës, ku ka shprehur dyshime të mëdha për korrupsion dhe nepotizëm, brenda këtij aeroporti.

Bujar Ejupi, kishte thënë se shumë persona ishin punësuar në Aeroportin e Prishtinës, anipse sipas tij, ata nuk kishin pasur kualifikimin e duhur për pozitat në të cilat ishin vendosur.

Po ashtu, ai kishte thënë se në Aeroportin e Prishtinës, ka pasur ndërvite keqmenaxhim të buxhetit, ku dhe ka pasur shumë raste, që janë paguar punëtorët të cilët nuk kishin shkuar asnjëherë në vendin e tyre të punës, pra në Aeroportin e Prishtinës.

“Kam filluar të marr ankesat nga kontrollorët e trafikut ajror se kulla ishte e ftohtë në mbrëmje dhe në netët kur duhej të vepronin fluturimet”, tha Ejupi. “Kjo më bëri të kontrolloj se çfarë ishte e gabuar me sistemin tonë të ngrohjes, vetëm për të kuptuar se kurrë nuk ishte ndërtuar nga kompania turke”, ka thënë Ejupi pë Jnk.

Share.

About Author