PSD merr pjesë në takimin e thirrur nga Veseli për rezolutën e dialogut, VV e LDK e bojkotojnë

0

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u ka dërguar ftesa krerëve të partive opozitare për një takim që pritet të mbahet sot në orën 11:00, ku do të diskutohet për harmonizimin e qëndrimeve për rezolutën e dialogut Kosovë – Serbi. Në këtë takim të ftuar nga Veseli nuk do të marrin pjesë Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa Partia Socialdemokrate do të jetë aty.

Pjesëmarrjen e PSD’së në takimin e ftuar nga Veseli për Periskopin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi.

“Po, do të jetë një përfaqësues i Partisë Socialdemokrate që do të paraqes qëndrimin tonë”, thuhet në përgjigjen e Kuçit dhënë Periskopit.

Në anën tjetër, Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Veseli, pasi nuk pajtohet me rezolutën e tij.

Zëdhënësja e kësaj partie, Tinka Kurti para pak çastesh konfirmoi për Periskopin mospjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Veseli.

Edhe Lidhja Demokratike mban qëndrim të njëjtë me atë të Vetëvendosjes.

Dje u bë e ditur se edhe kjo parti do të bojkotojë takimin e thirrur nga Veseli.

Kohëve të fundit, LDK e VV kanë bashkërënduar angazhimin opozitar për kundërshtimin e partive të koalicionit në Kuvend.

Në ftesën dërguar partive opozitare nga Kadri Veseli thuhet se kohezioni i brendshëm për këtë çështje është i domosdoshëm për të forcuar pozicionin negociator të Kosovës përballë Serbisë në Bruskel.

“Me anën e kësaj letre, dëshiroj t’ju ftoj Ju ose përfaqësuesin e partisë tuaj, në një takim gjithëpërfshirës në mënyrë që të dakordohemi dhe kështu të ndërtojmë një frymë bashkëpunimi për çështjen e dialogut. Kohezioni politik i brendshëm, është i domosdoshëm, për të mundësuar forcimin e pozicionit negociator të Kosovës si dhe për të përmbushur aspiratat që ne kemi për të zënë vendin që na takon në OKB, BE, NATO dhe forumet tjera ndërkombëtare”, thuhet në ftesën që kreu i Kuvendit u ka dërguar krerëve të partive opozitare.

“Me sa duket nga qëndrimet publike, të gjitha partitë parlamentare e mbështesin në parim procesin e dialogut, por kanë dallime në qasje duke ofruar propozime të ndryshme rreth rezolutës për procesin e dialogut. Prandaj kam vendosur që të ftoj të gjithë udhëheqësit e partive parlamentare për të diskutuar e harmonizuar një rezolutë të përbashkët në Kuvend”, përfundon ftesa e Veselit.

Takimi pritet të fillojë në orën 11:00, në sallat e Kuvendit të Kosovës.

Share.

About Author