Limaj: S’ka marrëveshje me Serbinë pa zgjidhjen e temave të komplikuara

0

Zëvendëskryeministri i Kosovë, Fatmir Limaj ka thënë se ka shumë tema të komplikuara që duhet të zgjidhen në kuadër të bisedimeve me Serbinë, andaj sipas tij, vështirë që pranvera do të mund të sillte një marrëveshje përfundimtare.

Limaj që është i propozuar nga Qeveria e Kosovës të drejtojë bisedimet me Serbinë, tha se aktualisht është e rëndësishme të arrihet një konsensus mes spektrit politik në Kosovë.

 

 

Ai nuk tha se kur do të shkojë në Bruksel, veçse theksoi nevojën e një miratimi të përgjithshëm në Kosovë sa i përket temave që do të diskutohen me Serbinë.

“Me gjithë dëshirën dhe përkushtimin tonë do të punojmë, e rëndësishme është Kosova siç kemi thënë vazhdimisht, të ndërtoj një konsensus të brendshëm, t’i miratojë temat për të cilat besojmë se duhet të fliten por duhet të merret miratim i përgjithshëm……Preokupimi ynë kryesor është me gjet konsensus sa më të gjerë, kjo është tema kryesore tek ne në Kosovë. Po flasim për një temë nacionale, qëndrimi im vazhdimisht është ky, nuk është preokupimi im kur do të shkoj në Bruksel por kur ne do të arrijmë ta bëjmë një konsensus sa më të gjerë me forcat politike të Kosovës, në këtë drejtim po punojmë, ta shohim si do të shkojë”, tha ai.

Limaj tha se përfundimi i dialogut me Serbinë nuk është çështje e dëshirave.

Edhe njëherë ai përsëriti se në Bruksel duhet të shkohet me kërkesa e tema konkrete. Në mes të kërkesave, Limaj tha se është edhe ajo për të pagjeturit.

“Kemi shumë tema të komplikuara, shumë çështje jashtëzakonisht të komplikuara që duhet t’i zgjidhim, për faktin e pozicionimit të Serbisë. Këto tema do të duhet kohë sa do të merr kohë unë nuk jam ai që përcakton afat, por ajo që mund të them unë është pa u shtruar dhe pa gjet zgjidhe për këto tema nuk flasim për një marrëveshje, çështjen e të pagjeturve, çështjen e dëmshpërblimeve të luftës, çështjen e ndarjes së pasurisë së ish-Jugosllavisë, po i përmendi tri tema të rëndësishme, jemi edhe tema detale deri te energjia, nuk besoj që këto tema do të mund të zgjidhen aq shpejtë”, tha ai.

Ai shtoi se në ato tema duhet të vihen në krye profesionist, njerëz të përkushtuar dhe njerëz të zanateve përkatëse.

Këto deklarata Limaj i dha në Malishevë ku po merrte pjesë në vënien e gurthemelit të ndërtesës për njerëzit në nevojë.

Share.

About Author