Krasniqi: Jam penduar që kam lejuar Milaim Zekën të garojë në listën e Nismës për deputet

0

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi u ka kërkuar falje qytetarëve të Kosovës, familjeve shqiptare, për gjuhën që po përdor Milaim Zeka në Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Për luftën, për as një ngjarje të saj nuk e kam autorizuar as një njeri të vetëm që të flas në emrin tim. Pra nuk e kam autorizuar as gazetarin Milaim Zeka”.

“Nëse gjatë këtyre viteve pendohem për ndonjë veprim timin është: Pranimi i Milaim Zekës që të garoi në Listën e Nismës për deputet i Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i plotë i Krasniqit:

“SQARIM: PËR LUFTËN E LAVDISHME TË UÇK-SË

Krejt çka kam pasur të them për luftën e kam thënë në mija faqe të botuara, e kam thënë edhe në Dëshminë në Hagë në rastin Limaj dhe Haradinaj. Opinioni që donë e dinë, i dinë qëndrimet e mija. Gjithçka ishte publike.

Për luftën, për as një ngjarje të saj nuk e kam autorizuar as një njeri të vetëm që të flas në emrin tim. Pra nuk e kam autorizuar as gazetarin Milaim Zeka.

E them me bindje, për asgjë që kam bërë në jetën time politike nuk pendohem. Nuk pendohen se çdo veprim timin politik e kam bërë për kombin e vendin tim. As një veprim, në asnjë kohë nuk e kam bërë kundër ndonjë individi.

Kurrë nuk kam qenë, në as do të jam në shërbim të asnjë njeriu, cilido që të ketë qenë fuqia e tij politike, e sidomos jo pas vitit 1991 e këndej, krejt deri me sot.

Nëse gjatë këtyre viteve pendohem për ndonjë veprim timin është: Pranimi i Milaim Zekës që të garoi në Listën e Nismës për deputet i Kuvendit të Kosovës.

Për ketë gabim timin, qytetarëve të Kosovës, burrave e grave U KËRKOJ FALJE! U kërkoj falje për gjuhën që ai përdor në Kuvendin e Kosovës dhe e cila gjuhë e degraduar hynë në çdo familje shqiptare.

Sinqerisht, qytetarëve të Kosovës, familjeve shqiptare u kërkoj falje prej më të sinqertave!”, ka shkruar Krasniqi. /Telegrafi/

Share.

About Author