‘Burdushi’ akuzohet për mashtrimin e një ‘pacienti’

0

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Hysni Peqani, i njohur si “Burdushi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, “Burdushi” akuzohet se nga data 20.06.2014 deri me 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, ose për t`i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e të dëmtuarit.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, në këtë proces i akuzuari “Burdushi ” si mjek popullor, merret vesh me tashmë të dëmtuarin që t`ia shërojë një anëtar të familjes që vuante nga depresioni.

Sipas aktakuzës, marrëveshja ishte që ‘Burdushi” ta shëronte anëtarin e tashmë të dëmtuarit sipas Prokurorisë në kompensim të një shume prej 2 mijë euro, por që pas kalimit të një kohe pacienti nuk ka shfaqur shenja shërimi. Dhe si rrjedhojë këtu i akuzuari ”Burdushi ”, të dëmtuarin e vë në lajthitje dhe mashtrim, duke i shkaktuar dëm material, theksohet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Me këtë sipas aktakuzës i njëjti ka kryer veprën penale të mashtrimit.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, për veprën penale të mashtrimit sikurse në aktakuzë, nëse gjatë gjykimit vërtetohen faktet se i njëjti ka kryer veprën penale si në aktakuzë, Kodi penal parasheh dënim me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

Share.

About Author