20 kamionë me mallra serbe kthehen prapa në kufij

0

Nesër bëhen një javë që kur Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendim që kamionët që vijnë me mallra nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina të paguajnë taksën prej 100% me të hyrë në territor të Kosovës.

Ky vendim i cili u mirëprit nga institucionet, bizneset dhe qytetarët e Kosovës, u kundërshtua fuqishëm nga autoritetet serbe dhe boshnjake.

Madje, në shenjë revolte ndaj këtij vendimi, sot kryetarët e komunave në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.

Megjithatë, edhe pas njoftimit për taksë, kamionë me mallra nga Serbia ia kanë mësyrë tregut të Kosovës, por pa rezultat.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci në një prononcim për Indeksonline ka thënë se nga hyrja në fuqi e taksës, vetëm dy kamionë nga Serbia kanë hyrë në Kosovë me taksën 100%.

Ai ka bërë të ditur se ka pasur edhe dhjetëra raste kur kamionët që bartnin mallra serbe janë kthyer prapa.

“Vetëm dy kamionë kanë hyrë me taksën 100%, derisa janë kthyer rreth 20 kamionë”, ka theksuar Stavileci.

Pavarësisht taksës, sipas tij, tranzitimi i mallrave vazhdon të jetë normal sikurse në të kaluarën.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës mori vendim që nga 10% sa ishte taksa ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, ta rris atë në 100%.

Kur u mor vendimi, institucionet në Serbi paralajmëruan se nuk do të vazhdojnë dialogun me Kosovën deri në heqjen e taksës.

Share.

About Author