KËSHILLTARJA E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS DEKLAROHET E PAFAJSHME PËR MOS RAPORTIM TË PASURISË

0

Këshilltarja Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, është deklaruar e pafajshme për veprën penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare në shqyrtimin.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bashkim Zeqaj, e akuzuara Haradinaj-Stublla tha se nuk e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Jam absolutisht e pafajshme” deklaroi e pandehura, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Alban Ajvazi e ka njoftuar të akuzuarën dhe mbrojtësen e saj, avokaten Merita Stublla-Emini se brenda afatit ligjor mund të paraqesin kundërshtime për provat e përfshira në aktakuzë, dhe ta bëjnë kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Lidhur me këtë, avokatja Stublla-Emini deklaroi se brenda afatit prej 20 ditësh do të paraqesin kundërshtimet e lartcekura, për të cilat gjykatësi Ajvazi deklaroi se do të vendosë jashtë seancës.

Gjykatësi gjithashtu e ka obliguar prokurorin Bashkim Zeqaj që brenda afatit prej 15 ditëve të përmbushë obligimin ligjor për zbulimin e provave, pasi një gjë të tillë nuk e ka bërë deri më tani.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla në drejtim të kryerjes së veprës penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj-Stublla, në cilësinë e Zyrtares së Lartë Publike, dhe atë Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1.3 dhe nenin 6 par. 1.1 të Ligjit Nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

Prokuroria pretendon se e akuzuara Haradinaj-Stublla, ka qenë e detyruar që ta deklaroj pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), me rastin e marrjes së detyrës më 11 shtator 2017, për vitin paraprak ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD” të regjistruar në Londër, me zyre nr “108 Woolmead Avenues në “Companies House”, edhe pse ka qenë e obliguar.

Share.

About Author