Krasniqi e quan raciste LDK-në: Duan ta heqin stadiumin nga Drenasi sepse s’e duan Drenicën

0

Memli Krasniqi, nënkryetar i PDK-së, e ka quajtur raciste LDK-në për shkak të idesë për heqjen e Stadiumit Kombëtar të Kosovës nga Drenasi, siç është planifikuar, për ta ndërtuar atë në Bërnicë.

Sipas tij, kjo ndodh sepse LDK-ja nuk e do Drenicën.

“Ka tonalitet racist kjo kërkesë. Vetëm që s’e duan Drenicën, duan ta largojnë nga Drenasi. Le të argumentojnë ku duan ta dërgojnë. Unë si prishtinas, do të doja të ishte këtu, por është e pamundshme. Është bërë një studim fizibiliteti, janë marrë ekspertët ndërkombëtarë. Ai do të shfrytëzohet për ndeshje ndërkombëtare, është afër aeroportit, do të jetë i lidhur me hekurudhën. E pse ta qojmë sot në Bërnicë, pse? Për inat”, ka thënë Krasniqi duke shtuar se ideja për Bërnicë “ka dështuar pasi është bërë fizibiliteti”.

“Do të ishte e padrejtë tash kur procesi ka avancuar të kthehet mbrapa. Sikur të kishte opsion më të mirë, edhe unë do të doja të ishte këtu, bile në qytet, por as opsionet që konsideroheshin, sikur ai te ‘Prishtina e Re’, s’dolën në fizibilitet”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se PDK-ja synon të udhëheqë qeverisjen “sepse kemi pa që duke ua dhënë kryeministrin të tjerëve s’po funksionon”.

“Sepse kur është kryeministër dikush që s’ka mandatin nga qytetarët, mendojmë se përgjegjësia është më e vogël. Ne punojmë për të fituar zgjedhjet. Jemi të bindur se do të dalim të parët, që Kadri Veseli do të jetë mandatar për qeverinë e ardhshme”, ka thënë ai.

Për planin e AAK-së për Autostradën e Dukagjinit, Krasniqi ka thënë se “nëse dikush ka ndërtuar autostrada këtu, dihet që është PDK-ja. Mund të marrin mësim”.

“Para neve ishin të tjerët, por s’i kanë ndërtuar. Është folur për autostradën e Dukagjinit, por s’e ke asnjë cent në buxhet. Është trumbetuar shumë, por në buxhetim s’ka. Duhet studim fizibiliteti. Isha në Dukagjin para dy ditësh, kanë nevojë qytetarët të kenë të njëjta ose të ngjashme standardet e infrastrukturës së përgjithshme transportuese. Mendojmë se pas përfundimit të autostradave kryesore, duhet të mendohet për mënyrat për përfundimin e rrugëve dhe autostradave në Kosovë. Por sot është më lehtë sesa më 2009”, ka shtuar ai.

Për taksën, nëse marrin pushtetin, Krasniqi ka thënë se PDK-ja do të vendosë në koordinim 100 për qind me SHBA-në. Sipas tij, procesi i dialogut s’mund të përmbyllet pa Amerikën.

“Nëse është kërkesa e tyre heqja, do ta shqyrtojmë, por këtë do t’ua bëjmë të qartë partnerëve që do t’i marrim. Por duhet të dihet se sa herë kemi qenë të koordinuar na ka rënë mirë, e sa herë ishim ndaras mund të vërehen pasojat, siç ishte edhe rasti në Interpol”, ka deklaruar ai duke shtuar se për çdo marrëveshje me Serbinë do të kërkojnë referendum.

 00:28

Krasniqi: Qeveria e re s’do të ketë më shumë se 15 minitri

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nëse fiton PDK-ja, qeveria e re nuk do të ketë më shumë se 15 ministri.

Madje ai tha se edhe numri i zv/ministrave dhe i këshilltarëve do të ulet.

“Qeveria e fundit ka qenë shumë e madhe. Ne mendojmë se shteti duhet të jetë sa më i vogël konceptualisht. Qeveria s’duhet të ketë më shumë se 15 ministri. Janë krijuar ministri vetëm për të akomoduar kërkesat. Edhe numri i zv/ministrave nuk do të jetë më i madh se 2 për ministri. Do të racionalizojmë edhe numrin e këshilltarëve. Unë s’e kam ditur që kryeministri ka pasur rreth 35 këshilltarë. E di kur zyra e kryeministrit ka pasur 12 këshilltarë. S’e di ku i kanë mbajtur”, u shpreh në Interaktiv të KTV-së kandidati i PDK-së për deputet, Memli Krasniqi.

 00:21

Krasniqi: Vjosa Osmani s’e ka as përgatitjen e as eksperiencën për të drejtuar Qeverinë

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Memli Krasniqi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se qeveria e fundit ka bërë distancim të marrëdhënieve me SHBA-në.

“Marrëdhëniet me SHBA-në janë distancuar nga qasja e qeverisë së kaluar në frontin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ne mendojmë se është imperativ shtetëror e kombëtar të fuqizojmë raportin me SHBA-në, sepse vetëm kështu ne besojmë që luftohet më lehtë korrupsioni, nepotizmi e zhvillohet ekonomia”, theksoi Krasniqi.

Për tri ditë qëndrimi në SHBA, Krasniqi tha se Haradinaj ka pasur vetëm një takim me një zyrtar të lartë amerikan.

Duke folur për sondazhet e para zgjedhjeve të 6 tetorit, Krasniqi tha se të gjitha partitë po ia bëjnë qejfin vetes.

“Gara është vërtet e përafërt, s’ka asnjë sondazh që mund të matë këtë garë. Sondazhi kryesor do të jetë pas 5 ditësh kur do t’i marrim rezultatet e para, por mund të pritet edhe disa ditë deri në numërimin e të gjitha votave. Fitorja e PDK-së do të jetë finale më 6 tetor. Trauma që do t’i kap partitë tjera në vendin e dytë e të tretë mund t’i bëjë ata të kërkojnë hetim të procesit”, tha ai.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se është e turpshme që Vjosa Osmani të thotë se PDK-ja po blen vota. “Ndoshta janë shefat e saj që po i tregojnë çfarë të thotë. Janë shefat e saj, Lutfi Haziri, Agim Veliu e Isa Mustafa”.

Krasniqi mohoi që PDK-ja të ketë frikë nga Osmani, duke thënë se ajo s’ka përgatitje as eksperiencë për këtë post.

“Çfarë frike! Zonjën Osmani e kam kolege deputete. Në fushën e vet ka bërë një punë shumë ndihmuese. Por, këtu s’po flasim për deputet, por për kryeministër. Ajo s’e ka as përgatitjen e as eksperiencën për këtë detyrë. Ne ndodhemi para një udhëkryqi që ta definojmë se kah do të shkojmë. Vjosa Osmani s’ka kandiduar asnjëherë për ndonjë pozicion të lartë. Ajo në këtë mes është produkt i pazareve të fundit brenda LDK-së”, u shpreh Krasniqi.

Ai foli edhe për çështjen e koalicioneve pas zgjedhjeve, duke thënë se koalicionet varen nga partia e tij, pasi që, sipas tij, PDK-ja do të dalë e para në zgjedhje.

“Nuk është çështje që varet prej tyre a bëjnë koalicion me ne a jo, sepse ne vendosim me kë hyjmë sepse ne dalim të parët. LDK-ja ka panik për momentin. Kanë edhe ata sondazhe. Po e shohin se çfarë po ndodh në terren. Po ju përsëris, për PDK-në fokusi i vetëm është qytetari i Kosovës. Ne mendojmë që ende s’e kemi arritur maksimumin tonë. Kërkesa jonë, bashkë me armatën e madhe të elektoratit, është kërkesa për mbështetje ndaj Kadri Veselit për të qeverisur”, theksoi Krasniqi.

Nënkryetari i PDK-së tha se kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, nuk pyetet për koalicione sepse Isa Mustafa është shefi i LDK-së.

“Edhe më herët LDK-ja ka thënë se s’bën koalicion me PDK-në. Shpresoj që Nisma-AKR e kalojnë pragun. Por, një gjë ju garantoj. PDK-ja po punon më shumë se kurdoherë për të marrë besimin e qytetarëve për të dalë partia e parë. Kombinimet pas zgjedhjeve do të varen nga diskutimet. Asnjë parti s’mund të jetë me neve nëse s’e nënshkruan një kod etik ku do të zotohen se kujtdo që do t’i ngrihet ndonjë aktakuzë do të suspendohen. E dyta është edhe programi qeverisës, që përveç luftës kundër-korrupsionit, normalisht edhe zotimi i plotë që duhet të jetë prioritet i prioriteteve në politikën e jashtme forcimi i marrëdhënieve me SHBA-në”, potencoi Krasniqi.

 00:09

Krasniqi për ardhjen e “Njeriut të Trumpit” në Kosovë: Ne e duam më shumë Amerikën

Sipas Memli Krasniqit të PDK-së, ardhja e Matthew Whitakerit në Kosovë për të përkrahur PDK-në në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit, është tregues për lidhjen e fuqishme të kësaj partie me SHBA-në.

Whitaker, që para disa muajsh shërbeu si udhëheqës i Departamentit të Drejtësisë në SHBA, e që tash s’ka pozitë, sipas Krasniqit, me të drejtë po cilësohet si “Njeriu i presidentit Donald Trump”.

“Njeriu i Trumpit është njeriu që deri para pak muajsh ka shërbyer si udhëheqës i Departamentit të Drejtësisë, që është ekuivalente ministër i Drejtësisë. Ai është personalitet i respektuar në të gjitha qarqet e synimit të ligjit në SHBA, dhe ka rastisur të jetë me prejardhje nga Iowa me të cilin shtet Kosova ka partneritet shtetëror”, ka thënë ai, duke shtuar se vizita e tij në Kosovë ndërlidhet me “luftën e përbashkët kundër korrupsionit”.

Për deklarimet e ambasadës amerikane në Kosovë se qeveria amerikane s’përkrah asnjë parti, Krasniqi ka thënë se “as PDK-ja s’ka thënë që Amerika e përkrah PDK-në, por që ne e duam më shumë”.

“E kuptoj, ambasada ka të drejtë të thotë gjë të tillë sepse u takon. Ne s’kemi thënë asnjëherë se Amerika na përkrah neve. Ne s’po themi domosdoshmërisht që Amerika na do neve më shumë, por po themi që ne e duam më shumë Amerikën”, ka thënë ai.

Sipas tij, kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, gjithë veprimtarinë e tij jetësore e ka pasur të koordinuar 100 për qind me amerikanët. Kjo, sipas tij, s’vlen për rivalët.

“E keni në garë një Kadri Veseli që gjithë jetën politike e ushtarake e ka pasur 100 për qind të koordinuar me amerikanët e SHBA-në. Këtë e keni vënë re në fillim të vitit me debatet e brendshme me çështjen e dialogut. Në anën tjetër keni zonjën Osmani të LDK-së, që jo që s’ka koordinim me amerikanët, por zyrtarisht i ka kundërshtuar gjitha kërkesat e amerikanëve në mandatin e shkuar. S’di a ishte kundër ish-kryeministrit Mustafa, por e kujtoj edhe njëherë që ish-zëvendëspresidenti, Joe Biden, ishte në Kosovë për të votuar demarkacionin me Malin e Zi, dhe ish-ambasadori u shkoi në zyre grupit parlamentar, sepse Mustafa ishte i pafuqishëm, e njeriu që e kundërshtoi më së shumti ishte Osmani. Për Kurtin e VV-së s’kemi çka për të folur. Nuk e ka takuar ndonjëherë në jetë një zyrtar të fortë. S’di a mundet të marrë edhe vizë. Për të tjerët s’po flasim sepse s’di a janë në garë. Janë formalisht, por pa gjasa për të fituar. Për raportet e Haradinajt me Amerikën dihet”, ka shtuar ai.

Për deklarimet nga LDK-ja, se ishte ish-presidenti Ibrahim Rugova ai që forcoi raportet me SHBA-në, Krasniqi ka thënë se “Rugova ishte në SHBA kur filloi lufta, por edhe ish-kryetari i PDK-së Hashim Thaçi ka qenë tre herë në Shtëpinë e Bardhë”.

“Edhe Veseli ishte dy herë, te niveli i tretë. S’po e quaj LDK-në antiamerikane, por e vërteta është se raportet e tyre me Amerikanë janë inekzistente. S’më kujtohet nëse Isa Mustafa si kryeministër ka pasur ndonjë vizitë në SHBA, së paku për të takuar zëvendëspresidentin, sepse ishte një mik i jashtëzakonshëm i Kosovës, Joe Bide”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se me Whitakerin s’kanë kontratë për mbështetje, teksa ka shtuar se PDK-ja është e entuziazmuar me mbështetjen që ka marrë nga ai.

“Mundeni ta kontestoni atë, por e ka emëruar Donald Trump. Nëse ju duket kjo pak, për ne ishte nder i madh. Presidenti Trump është mbështetës i Kosovës. E ka Kosovën tepër të rëndësishme. Më vjen mirë që njerëz që lidhen direkt me fushatën e tij, me agjendën e tij kundër korrupsionit globalisht, pavarësisht pozicioneve të tyre sot, për ne është mbështetje shumë e rëndësishme, është validim i mesazhit tonë dhe përputhje e agjendës kundër korrupsionit. Ne si parti kemi aq shumë miq në SHBA, të cilët janë të interesuar dhe dëshirojnë të shohin PDK-në me qeverisë edhe një herë Kosovën. S’ka nevojë për kontrata. Kontratat tona ishin gjithmonë publike. Ne jemi, mund t’u tingëllojë shumë, por jemi të entuziazmuar me ardhjen e tij, e mbështetjen e tij”, ka shtuar ai.

 23:56

Krasniqi: Oponentët vazhdimisht kanë qenë skeptikë për projektet e PDK-së, por sot ato janë të realizuara

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se pakti kundër-korrupsionit i prezantuar nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka pasur 10 pika, e në mesin e të cilave ka qenë edhe zotimi që pas fitimit të zgjedhjeve nuk do të bënte emërime politike nëpër borde.

“Pakti kundër-korrupsionit, përpos mos-përfshirjen e njerëzve me aktakuza në listat për deputetë, përfshinte edhe një zotim që kushdo që do të fitonte zgjedhjet, nuk do të lejonte që të ketë emërime politike nëpër poste”, tha Krasniqi, ndërsa shtoi se kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, partia e së cilës vazhdimisht akuzon PDK-në për korrupsion e nepozitëm, “ishte sot bashkë me dy ish-nënkryetarë që janë përballë me aktakuza”.

Krasniqi kujtoi premtimet e PDK-së më 2007, sidomos projektin për autostrada, e që thotë se edhe asokohe oponentët kanë thënë se janë vetëm disa vizatime. Por thotë se ato janë realizuar.

Tha se ka pasur premtime edhe për shkolla, e që thotë se janë ndërtuar 120 shkolla nga 2008.

“Kur Veseli e prezantoi iniciativën e tij për lirimin e pronave të uzurpuara në procesin e privatizimit, edhe atëherë thoshin se është ide politike. Mbi 90 për qind të pronave të uzurpuara janë liruar, madje edhe prona të famshme. S’mund t’i fajësoj edhe sot nëse ka njerëz skeptikë, por të nisësh këtë reformë me pastrimin e shtëpisë tënde, kjo do të mundësojë pastrimin edhe të Kosovës”, u shpreh Krasniqi.

 23:47

Krasniqi: PDK-ja dallon nga tjerët sepse të paktën pranon gabimet

Memli Krasniqi, nënkryetar i PDK-së, ka thënë se partia e tij dallon nga të tjerët për shkak se nuk i mohon gabimet që kanë ndodhur në qeverisje.

Në Interaktiv të KTV-së, Krasniqi ka thënë se PDK-ja në zgjedhjet e 6 tetorit hyn me listë të pastër dhe se si parti tashmë është e reformuar.

“Besoj se qytetarët e Kosovës, përkundër hezitimeve që mund t’i kenë, e kuptojnë dhe e pranojnë që PDK-ja gjatë periudhës së saj qeverisëse, veçanërisht kur ka udhëhequr qeverinë, ka arritur suksese dhe rezultate të prekshme. Ka realizuar shumicën e premtimeve. Por asnjëherë s’e kemi mohuar se ka pasur gabime në këtë periudhë. Nëse ka dallim me partitë tjera është se ne kemi pranuar devijimet që kanë mundur të ndodhin, problemet që kanë mundur të jenë si pasojë e njerëzve të caktuar. Kjo është arsye pse ne paraprakisht në procesin tonë të brendshëm, e kemi quajtur Dekada e Re sepse në të vërtetë është dekadë e re për PDK-në. Duam t’u themi qytetarëve se ai dhjetëvjeçar ka përfunduar dhe kemi konsideruar se dekada e ardhshme duhet ta gjejë PDK-në të rinovuar, të reformuar. E kemi arritur këtë. Nëse e shihni listën zgjedhore të PDK-së, që jam i bindur se është më e mira, kemi 68 kandidatë që garojnë për herë të parë”, ka thënë ai.

Se “ku ishin deri tash për të luftuar korrupsionin”, Krasniqi ka thënë se kësaj pyetje i përgjigjet me një kundërpyetje.

“S’ia mohoj askujt të drejtën të bëjë pyetje kështu, sidomos neve që kemi pasur vazhdimësi në qeverisje në 12 vjetët e fundit. Kohëzgjatja jonë në qeverisje është e njëjtë me të LDK-së. Po aq vite ka qenë LDK-ja në pushtet. Por sidoqoftë, pyetja është e drejtë legjitime. Unë do të bëja kundërpyetje. Pse jo tash? E nëse jo tash, kur? Ne ia kemi bërë pyetjen vetes: nëse ne jo, kush? Në garë ka parti që s’kanë as guximin as mundësinë e as vullnetin që të bëhen pjesë e luftës së tillë. Kjo s’është luftë me vetveten. Ne bëjmë shembull nga vetvetja. Para se të kishte dikush ide për zgjedhje ne patëm prioritet për luftën anti-korrupsion, dhe Kadri Veseli, pasi mori mandatin e parë zyrtar të plotë si kryetar partie, vendosi të largojë ata që kanë aktakuza për vepra të caktuara”, ka shtuar ai./KOHA.NET

Share.

About Author