Anulohet tenderi për vaksinat sezonale për gjysmë milioni kosovarë

0

Ka dështuar të zgjidhet operatori për furnizim me vaksina sezonale, me të cilat Qeveria Hoti ishte zotuar që do t’i vaksinonte gati gjysmë milionë kosovarë.

Ministria e Shëndetësisë në fillim të muajit gusht pati hapur tender për furnizim me rreth 400 mijë vaksina sezonale. Vlera e paraparë për këtë tender ishte 3 milionë e 100 mijë euro, e që nëse kalkulohej çmimi për vaksinë, i binte rreth 8 euro e 30 cent, raporton KTV

Tenderi është anuluar të mërkurën.

Arsye është dhënë tejkalimi i çmimit të paraparë.

Një grup operatorësh i kanë ofruar këto vaksina me vlerë të më shumë se 8 milionë e gjysmë euro, ose rreth 22 euro e 70 centë për vaksinë.

Operatorët ekonomikë që janë diskualifikuar për shkak të çmimit sipas Ligjit të Prokurimit Publik mund të parashtrojnë ankesë në MSh, në afat prej 5 ditësh e nëse nuk u aprovohet, atëherë ankesën mund ta dërgojnë në OShP, 10 ditë pas vendimit të MSh-së.

Një gjë e tillë vetëm për ankimim merr më shumë se 15 ditë, e në rast se lënda shkon në OSHP, procesi deri në vendimmarrje mund të zgjasë 40.

Por këtë periudhë nuk e ka MSH-ja, për shkak se vaksinat sezonale jepen në fillim të vjeshtës, në muajin tetor.

Periudha kur qytetarët duhet të vaksinohen është e sqaruar edhe në faqen zyrtare të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e sëmundjeve.

Për herë të parë që pas 15 vjetësh, Ministria e Shëndetësisë ka hapur tender për këtë çështje. Deri tani blerjet e vaksinave janë bërë përmes UNICEF-it. Në prillin e këtij viti, kur është bërë porosia e fundit, siç ka mësuar televizioni, çmimi ishte 5.51 centë, ndërsa sasia e porositur ishte 120 mijë vaksina.

Burimet i kanë thënë televizionit se MSh-ja pati bërë hulumtimin e tregut për vaksina sezonale, dhe një kompani e kishte paraqitur çmimin maksimal 12 euro, ndërsa atë minimal 7.40 euro.

Qeveria e Kosovës në kuadër të masave për parandalimin dhe luftimin e COVID 19 pati marrë vendim për blerjen e vaksinave sezonale në sasi 500 mijë, nga 80 mijë sa janë blerë çdo vit.

Share.

About Author