Mungesa e barnave anti-COVID i detyron pacientët t’i sigurojnë vetë ato

0

Mbi 300 pacientë të konfirmuar me Covid-19, që gjenden në spitalet dhe klinikat e QKUK-së momentalisht mund të marrin vetëm njërën prej tri terapive për trajtimin e sëmundjes së tyre.

Ndonëse MSH-ja javën e kaluar i hapi rrugë importimit të tri barnave për trajtimin e Covid-19, Remdesevir, Favirapir dhe Hidroksiklorokinës , QKUK-ja ka në dispozicion vetëm këtë të fundit.

Nga Barnatorja Qendrore nuk kanë treguar se edhe për sa kohë mund t’ua ofrojnë pacientëve me Covid-19 këtë bar. Derisa kanë thënë se janë mjaftueshëm të furnizuar me Hidroksiklorokinë.

“Ju njoftojmë se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës është i furnizuar me sasi të mjaftueshme me Hydroxychloroquine. Sa u përket i produkteve të tjera, presim së shpejti, pas aprovimit të ministrit të Shëndetësisë të propozimit të Grupit profesional të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, për zbatimin e masave të veçanta që AKPPM të lëshojë licencë importi pa autorizim të marketingut për produktet për përdorim tek pacientët me Covid-19, si: Remdesivir, Favipiravir, por edhe Hydroxychloroquine”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Infektologët thonë se kanë parë efekte pozitive tek pacientët, të cilët janë trajtuar me Hidroksiklorokinën.

Derisa SHSKUK po pret që të furnizohet me dy barna, ato deri më tani i kanë siguruar vetë pacientët.

Distributorët e kompanive farmaceutike thonë se ka disa ditë që në doganë është bllokuar një sasi e barit Favipiravir për shkak të procedurave burokratike.

Por vendimi i MSH-së që këto barna të importohen pa autorizim marketingu në Kosovë nuk po shihet si zgjidhje adekuate nga ata që monitorojnë proceset e tenderimit të MSH-së dhe QKUK-së.

Edhe në udhërrëfyesin klinik për trajtimin e pacientëve me Covid-19 këto tri barna antivirale rekomandohen për përdorim dhe jepen udhëzime të qarta për zbatim, si dhe shpjegohen efektet e tyre tek pacientët.

Share.

About Author