Musliu kërkesë urgjente qeverisë: Të aprovohen pagat shtesë, shujtat dhe pagesa e ndërrimit të natës për policët sa më parë

0

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në seancën e sotme në deklarimet jashtë rendit të ditës ka kritikuar Qeverinë Hoti, e cila ende nuk po aprovon kërkesat e policëve për paga shtesë, shujta si dhe pagesat për ndërrimin e natës, duke thënë që një gjë e tillë të bëhet sa më parë.

Tashmë kur kemi hyrë në muajin e shtatë që kur vendi po përballet me Covid019, janë policët ata që po vazhdojnë të punojnë me nga 12 orë e të përballur drejtëpërdrejtë me këtë virus.

“Po bëhen 7 muaj që edhe vendi ynë si gjithë Globi, po përballet me pandeminë,  e krahas mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë të frontit për të mbrojtur qytetarët nga ky armik i pa dukshëm, po qëndrojnë stoikisht edhe Policia e Kosovës.

Andaj Partia Demokratike e Kosovës është mirënjohëse dhe falenderuese për të gjithë ata djem e vajza që në kushte të rënda pandemie, mbi vetveten dhe shëndetin e familjeve  të tyre prioritet e kanë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës”, tha Musliu.

Tutje deputetja e PDK-së në fjalën e saj ka thënë se që nga fillimi i pandemisë policët janë përballur me mungesën e pajisjeve adekuate si dorëza maska mbrojtëse dhe dezinfektues duke iu ekspozuar direkt rrezikut për t’u infektuar me COVID-19. Por kjo nuk i ka ndaluar ata që të vazhdojnë ta kryejnë me zell punën e tyre.

“Të përkushtuar dhe të pa thyeshëm ata po punojnë më orar 12 orësh dhe pa te drejtë shfrytëzimi të pushimit vjetor.

Duke parë angazhimin profesional e të domosdoshëm të policisë së Kosovës në menaxhimin e pandemisë, Partia Demokratike e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të marrë vendim për paga shtesë, shujta ushqimore e pagës të ndrrimit të natës sipas ligjit, për policinë e Kosovës gjatë kohës së pandemisë”, theksoi Musliu

E të gjithë këto vështirësi sipas saj tashmë janë bërë pengesa për funksionimin normal të këtij insitucioni

“Partia Demokratike e Kosovës me shqetësim të madh e ka përcjellë shpërfilljen e kërkesave të policisë së Kosovës nga Qeveria Hoti që si rezultat  I injorimit te kërkesave të tyre, policia e Kosovës protestën e sheh si mjet të domosdoshëm dhe të patejkalueshëm për të realizuar të drejtat e tyre që u takojnë.

Si pasojë e nëpërkëmbjes së dinjitetit të policisë nga Qeveria Hoti kemi reflektim edhe nga ana e disa individëve të papërgjegjshëm të cilët nuk respektojnë ligjin dhe nuk përfillin policinë e Kosovës e në raste të shpeshta   marrin guximin dhe sulmojnë pjesëtarët e policisë”, tha ajo.

Sipas saj për PDK-në një qasje e tillë e qeverisë Hoti ndaj Policisë së Kosovës, është e pafalshme.

“Qeveria Hoti duhet ta ketë të qartë se menaxhimi i Pandemisë pa kontributin maksimal e të pazëvendësueshëm të policisë së Kosovës është I pamundur. Çdo veprim që do ti shtyente Policinë e Kosovës të sabotojnë aktivitetin e tyre apo të protestojnë është dëm i pariparueshëm dhe vendin tonë e qon drejt një katastrofe të re. Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së duke ju shprehur ngushëllime familjarëve të policëve që humbën betejën me COVID-19 dhe duke ju uruar shërim të plotë policëve të infektuar, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës urgjentisht sot të aprovoj kërkesat e policisë së Kosovës, sepse nesër është vonë”, tha Musliu.

Share.

About Author