Përfaqësuesit e Palestrave Sportive iu drejtohen me një kërkesë Qeverisë së Kosovës

0

Qeveria e Kosovës ditë  më parë si masë preventive ndaj përhapjes së pandemisë ka marrë vendim për mbylljen e palestrave. Lidhur me këtë çështje, sot Përfaqësuesit e Palestrave Sportive iu janë drejtuar me një kërkesë ekzekutivit.

Përfaqësuesit e Palestrave Sportive të Kosovës thonë se kjo masë do t’i dëmtojë seriozisht bizneset.

“Kjo masë na dëmton seriozisht ne si biznese të cilat kemi kredi në banka, shpenzime fikse, rroga të punëtorëve e rroga tona personale, ndër të tjerash”, derisa, bëjnë të ditur se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë lloj asistence nga Qeveria.

“Bizneset tona nuk kanë pranuar asnjë lloj asistence apo ndihme lehtësuese nga Qeveria as nga mbyllja e valës së parë dhe as nga kjo e tanishmja. Ne si pronarë të këtyre bizneseve e konsiderojmë këtë vendim të pa-arsyeshëm, të pa-nevojshëm dhe arbitrar”, thonë të njejtit.

Komunikata e plotë:

Njëra prej masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës për parandalimin e përhapjes së Covid-19, është edhe mbyllja e palestrave sportive. Kjo masë na dëmton seriozisht ne si biznese të cilat kemi kredi në banka, shpenzime fikse, rroga të punëtorëve e rroga tona personale, ndër të tjerash.

Bizneset tona nuk kanë pranuar asnjë lloj asistence apo ndihme lehtësuese nga Qeveria as nga mbyllja e valës së parë dhe as nga kjo e tanishmja. Ne si pronarë të këtyre bizneseve e konsiderojmë këtë vendim të pa-arsyeshëm, të pa-nevojshëm dhe arbitrar. Duke e kuptuar seriozitetin e situatës dhe shqetësimet e Qeverisë për shëndetin publik, më poshtë po i listojmë arsyet pse nuk është e nevojshme mbyllja e palestrave sportive në këtë funksion:

– Në palestra sportive vijnë vetëm njerëz të cilët ndihen mirë, pra gjasat që ata të jenë të infektuar me Covid-19 simptomë e të cilit virus është lodhja dhe dërrmimi fizik, janë shumë të vogla;

– Natyra e këtij sporti (pajisjet që përdoren) dikton distancë midis njerëzve prej minimum 2 metrash;

– Mbi 60% e hapësirave të palestrave sportive përbehen nga vetë pajisjet, që do të thotë se kapaciteti i njerëzve që mund të jenë brenda në të njëjtën kohë është shumë më i ulët;

– Ky lloj sporti ushtrohet me doreza, pra përdoruesi nuk ka kontakt direkt me pajisje;

– Një pjesë dërrmuese e klientëve tanë janë njerëz me nevoja fizike të cilat ju obligojnë ushtrime në fitnes për mirëqenien e tyre;

– Sporti është mënyra më e mirë për ta luftuar depresionin dhe stresin e që në këtë kohë pandemie është në nivel të rritur.

Përveç kësaj, ne zotohemi që do t’i vendosim edhe rregullat e mëposhtme në funksion të parandalimit të shpërndarjes së virusit në hapësirat tona:

– Nuk do ta lejojmë asnjë klient të hyjë në ambientet tona pa maskë që mbulon gojën dhe hundën;

– Do ta përcaktojmë numrin e klientëve për metër katrorë të hapësirës së palestrës ashtu siç kërkohet;

– Nuk do ta lejojmë përdorimin e zhveshtoreve dhe tushave;

– Pranë secilës makinë të ushtrimit do të vendoset dezinfektuesi si dhe letra që obligon përdoruesin ta dezinfektojë para dhe pas;

– Ventilimi do të jetë i lëshuar gjatë tërë orarit të punës;

– Të gjitha dritaret do të qëndrojnë të hapura gjatë orarit të punës;

– Do ta pezullojmë çdo funksion tjetër të biznesit (shitja e pijeve dhe produkteve tjera për ushtrime).

Në qoftë se vazhdohet me këto masa, qoftë edhe për disa javë të tjera, ne si biznese nuk mund ta përballojmë këtë situatë dhe do të shkojmë drejt falimentimit. Ne e kuptojmë që Qeveria nuk ka mundësi të na kompensojë humbjet dhe e vlerësojmë brengën për shëndetin dhe të mirën publike, megjithatë, ekzistenca jonë si biznese dhe si punëtorë të këtij sektori është në rrezik.

Andaj me mirëkuptim ju lusim që të na lejoni të operojmë me zotimin tonë se do t’i respektojmë masat e vendosura nga Qeveria në plotësi, dhe përveç tyre do t’i ndërmarrim edhe masat shtesë të cekura më lartë. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari të drejtën tonë për të punuar dhe mbijetuar, prandaj shpresojmë të hasim në mirëkuptimin tuaj.

Share.

About Author