Qeveria po e ruan opsionin për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme

0

Gati një muaj prej kur kryeministri Avdullah Hoti paralajmëroi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, kjo nuk ka ndodhur, pavarësisht se numri i të vdekurve nga COVID-19 është rritur.

Megjithatë, Qeveria thotë se nuk e ka larguar mundësinë e tillë, derisa rekomandimin për këtë ia ka lënë në dorë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, raporton KTV.

“Mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme është një opsion që nuk është përjashtuar asnjëherë nga kryeministri Hoti dhe Qeveria e Kosovës. Megjithatë, duke marrë parasysh pasojat që do të kishte për ekonominë e vendit, por edhe për sektorët e tjerë, Qeveria ka ndërmarrë një varg veprimesh për parandalimin e përhapjes dhe për menaxhimin e pandemisë COVID 19”, thuhet në një përgjigje të kabinetit të kryeministrit.

Megjithëse që nga java e dytë e korrikut kanë vdekur mbi 160 persona të infektuar, Zyra e Kryeministrit thotë se prioritete të Ekzekutivit gjatë kësaj kohe ishin ruajtja e jetës së qytetarëve dhe rimëkëmbja ekonomike.

Në anën tjetër, Asociacioni i Komunave vazhdon të mbështesë një masë të tillë eventuale, pasi kështu, sipas tij, do të ndihmoheshin komunat në realizimin më të shpejtë të projekteve që kanë ngecur.

Mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nuk është përmendur në takimin e fundit ndërmjet kryeministrit dhe kryetarëve të komunave më 27 korrik.

Kurse njohësit e fushës së sigurisë kërkojnë që masat e ardhshme kufizuese të vendosen përmes gjendjes së jashtëzakonshme.

Në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë ushtron funksione ekzekutive, e i cili drejtohet nga presidenti.

Në një gjendje të tillë, sipas Kushtetutës, presidenti pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të ofruar ndihmë.

Share.

About Author